Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu i është kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, e cila mbrëmë akuzoi Vetëvendosjen për shkatërrimin e Prishtinës nga protestat.

Megjithatë, Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka fyer kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, duke iu referuar si “Arban dhëmbi”.

E një referim i tillë fyes nuk ka mbetur pa u kundërshtuar nga komentuesit e zonjës Haxhiu. “Pse e identifikon kandidatin kundërshtar me dhëmbin?! A është kjo diçka qytetare?”, i ka shkruar një komentues.

Postimi i plotë:

Vjosa ku u shkatërrua Prishtina në protesta? Ku në cilin vend, në cilën lagje, në cilën rrugë?

Asnjë cep i Prishtinës, rrugë, shkollë, ambulancë, park, shesh nuk është prishur nga protesta. Vetëm nëse për Prishtinë njeh atë ndërtesën me xhama ku rrinte Thaçi e një kohë bashkë me Isën.

Prishtinën e shkatërroi qeverisja serike e personazheve më të cilët ndan të njëjtin subjekt. Mbi 40 mijë ndërtime pa leje,e mijëra të tjera tejkalime lejesh në kurriz të më të varfërve, toka publike të uzurpuara të ndërruara pronësitë, pa parqe, pa lodra, pa stola, pa rrugë për këmbësorë, pa pemë, pa ndriçim, pa ngrohje, pa ujë, pa kanalizime. Edhe këtë më mirë se fjalët e dëshmon vrasja e Ark. Rexhep Luci dhe si shkoi pas tij.

E vetmja për çka lëvdoheni mbetet ai që quhet shesh e që është në fakt projekti më absurd që mund të realizohej në një kryeqytet. I shtrenjtë dhe jo efikas se për estetikë as nuk mund të flitet në projektet që la pas Isa Mustafa.

Tash po thotë Arban dhëmbi, që do të investojë fuqishëm në Kodrën e Trimave. Po kush e la pa investuar, pa trotuare e pa çerdhe, e pa ndriçim e pa rregullim të rrugicave brenda Kodrës së Trimave. Pa siguri për ecjen e këmbësorëve? Me siguri protestat tona radikale.

Ju Vjosa jeni kundër protestave, këtë e dinë të gjithë. Ne jemi pro protestave. Ne mendojmë se institucionet janë së pari të qytetarëve pastaj të zyrtarëve e burokratëve, e aq më pak të politikanëve. Ndaj ne do të protestojmë çdo herë që cenohet kjo marrëdhënie.

Protestat nuk i shkatërrojnë qytetet. Protestat i shkatërrojnë vetëm planet e klanet që shiten si Qeverisje.