Flamuri kombëtar i cili gjendej në rrethin kryesor në hyrje të Prishtinës, sot është ndërruar me një tjetër flamur.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës, tha për Koha.net se mëngjesin e sotëm kanë gjetur një flamur me ngjyra verdh dhe kuq, por kanë thënë se nuk e dinë autorin e kësaj vepre.

Por Koha.net ka mësuar se kjo është vepër e artistit Driton Selmani.

Ai tha për portalin se ka nisur një lloj projekti, dhe se ky ndërrim i këtij flamuri, ka qenë e pritshme.

Domethënia e flamurit, sipas tij ka kuptimin e “ofsajd”, siç e përshkruan ai, ofsajd – mbiemër, ndajfolje / në mënyrë të paligjshme përtej një linje ose zone të përshkruar; përpara topit në fillim të ose gjatë lojës.

Ai thotë se flamuri kombëtar u zëvendësua me flamurin i cili përdoret në futboll për simbolizimin e ‘pozitës jashtë loje’ ose ‘ofsajd’.

“Rreth flamujve njerëzit dhe shoqëritë formësojnë identitete. Ata krijojnë ndjenjën e përbashkësisë, ndërtojnë shpresën dhe optimizmin, ndjenjën e krenarisë, krijojnë rrëfime dhe ju besojnë atyre. Kështu ka qenë gjithmonë; mund të hamendësojmë se kështu edhe do të vazhdojë”, thotë Selmani.

Projekti i tij i quajtur Red Tape, sipas Selmanit është reflektim mbi mënyrën e përdorimit të flamujve si mjete për të prekur nervat kulturore, politike dhe sociale.

“Ajo nuk ofron mendim apo thirrje për veprim, thjeshtë reflekton çfarë po ndodh në realitetin përreth. Jo në çdo situatë flamujt ngritën për të shënuar fitore, triumf, ose arritje. Ata ngritën edhe për të shënuar dorëzim, humbje beteje ose pranim të fitores së tjetrit përballë individit ose shoqërisë. Flamujt shpesh bëhen edhe sinonime të humbjes së krenarisë, të besimit e optimizmit. Sot në botë me vështirësi numërohen vende e popuj që nuk kanë përjetuar një gjendje të tillë dorëzimi”, thotë tutje Selmani.

Red Tape, thotë se është në kërkim konstant të imazhit të së vërtetës, ku krenaria dhe optimizmi duket se mbyten në rrymat e “lojës”.

Si rezultat, flamuri vë në pikëpyetje realitetin rrethues dhe përshkruan më së miri situatën politike, ekonomike dhe sociale: është flamur i dëshpërimit, ndjenjës përjashtuese dhe mungesës së krenarisë për shtetin, institucionet dhe simbolet e tij.