Drejtori i Fondacionit Anti-Korrupsion të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, është arrestuar në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, bëri të ditur një bashkëpunëtor i Navalnyt.

Leonid Volkov ka shkruar në Twitter se Roman Rubanov është ndaluar pas kalimit të inspektimit doganor dhe se më pas është dërguar në një stacion policor.

Sipas Volkovit, Rubanov është akuzuar për organizimin pa leje të një tubimi.

Në fund të janarit, në shumë qytete ruse, mbështetësit e Navalnyt kanë protestuar kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos regjistruar Navalnyn si kandidat presidencial.

Komisioni e ka skualifikuar Navalnyn për shkak të disa dënimeve me burg që i ka vuajtur nën akuzat që, sipas mbështetësve të tij, kanë qenë të motivuara politikisht.

Në Moskë dhe në Shën Petersburg, autoritetet nuk i kanë autorizuar protestat.

Zyra e prokurorit i ka paralajmëruar moskovitet se pjesëmarrja në protesta më 28 janar është e paligjshme.