Bitcoin mund ta kishte bërë milioner Besfort Morinën nga Gjilani. Shtatori i vitit 2010 është koha kur Morina filloi të merret me Bitcoin. Ai rrëfen për Tribuna Channel se si gjithçka nisi nga një laptop dytësor, të cilin ai e përdorte shumë pak.

“Edhe ish njëfarë pushimi në atë kohë, e pata lanë një llaptop të dytë që e kam pasë me bo miting në banesë, përderisa unë isha në pushim. Edhe unë kur jam kthy aj veç i kish bo 100 Bitcoin. Në atë kohë 100 Bitcoin nuk kanë pas vlerë fare, sepseBitcoin nuk ka pas vlerë në treg. Edhe i pata lënë aty edhe nuk jam marrë më me to. Kur u pata kthy kah shkurti, e pata pa që Bitcoin i paska mbërri vlera në 1 dollarë për Bitcoin, u pata gëzu tepër shumë edhe i pata konvertu 100 Bitcoin në 100 dollarë për me festu kah mesi i shkurtit ditëlindjen. I pata hargju 100 Bitcoin për një natë”

Morina tregon se kërkonte bashkë-financues për të investuar në Bitcoin dhe cryptocurrency, por askush nuk i besonte.

Megjithatë, ai ia bëri disi dhe arriti që t’i blejë pajisjet.

“Vlen me e theksu që më pat ardhë fatura e rrymës 600 euro për një muaj, në banesë ku kemi qenë studenta që ka qenë kogja e frikshme. Është dashtë me i shit kogja do bitcoin për me e pagu faturën e rrymës në atë kohë.”

Në vitet 2013/14, ai kërkoi një interpretim ligjor për bitcoin dhe cryptocurrency nga Banka Qendrore, por ata nuk kishin fare njohuri se ekzistonte diçka e tillë.

“Brenda bankës qendrore kanë refuzu me më jep përgjigje me email shkaku që nuk e kanë pas idenë aspak se çka është kjo punë. Më kanë thirrë në telefon edhe më kanë vazhdo ti me atë punë sepse ne nuk po e dimë çka është, në rrezikun tënd e ki.

Në vitin 2014, Morina të gjithë të hyrat online vendosi t’i konvertojë në bitcoin, vendim i cili në fund nuk i doli mirë.

“Në vitin 2014 krejt të hollat çka i kam pasë, rrogat e punëtorëve dhe të gjitha të hyrat online vendosa me i konvertu në Bitcoin. Edhe shkaku i një problemi që e kam pas me një kompjuter që mu ka prish, fatmirësisht nuk më kanë humb Bitcoinat aty, kam vendosë që të hyrat dhe pagat e punëtorëve me i futë në një online Exchange, i cili në atë kohë ka pas 90% të tregut, pra më i madhi. Pas një kohë që i kam vendos unë paret aty, kanë qenë 200 Bitcoin, secili Bitcoin me vlerë nga 900 dollarë, ka falimentu faqja. I kam humbë ato Bitcoin edhe skam mujt me i kthy kurrë”

Vlera e bitcoinëve sa Besforti i posedonte dikur, në një kohë mbërriti plot 10 milionë euro. Kontabilisti i cili përkujdesej për financat në firmën e tij, u çudit kur kuptoi se Morina kishte shumë vite që merrej me Bitcoin.

Përkundër dështimeve, ai tregon se arriti të nxjerrë diçka nga investimi i tij në këtë fushë.

“Po unë kom arritë me nxjerrë. Prej vitit 2010 deri më tani më 2018, rreth 8 vjet unë në një farë forme edhe jam mbajt prej asaj pune, jo ekskluzivisht prej saj, por kam përfituar prej asaj pune”.

Në një kohë, kapitali total i tregut të kriptovalutave mbërriti në plot 800 milionë dollarë.