Prokuroria Speciale e Kosovës pasditen e sotme ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare si ish deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish Sekretar të përgjithshëm lhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Njazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajaziti.

Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentative.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.

Në një deklaratë për media, ish-deputeti Adem Grabovci, ka thënë se është i gatshëm që të dëshmojë para Prokurorisë, për ato që di lidhur me klanin “Pronto”.

Edhe ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ka thënë se në asnjë rrethanë nuk ka bërë shkelje ligjore dhe tejkalim të kompetencave institucionale e aq më pak keqpërdorim të tyre.

Ministri i PDK-së është shprehur i gatshëm që të shpjegojë dhe të argumentojë secilin veprim të tij politik dhe ligjor.

Por, deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga presidenti Hashim Thaçi e as nga kryeparlamentari Kadri Veseli, që njihen si “shefa” të Grabovcit.

E duke komentuar veprimin e Prokurorisë, analisti politik Faik Krasniqi, ka treguar se pse është ngritur aktakuza në këtë periudhë kohore.

Ai e ka lidhur këtë me përmbushjen e kushtit për liberalizimin e vizave, mirëpo ka theksuar se Bashkimi Evropian, është i vetëdijshëm, që aktakuzat “nuk janë të sinqerta”.

‘Ngritja e aktakuzës ndaj 11 personave për rastin “Pronto”, po bëhet për arsye të “përmbushjes” së kushtit për liberalizimin e vizave. Por, BE-ja është e vetëdijshme që këto aktakuza nuk janë të sinqerta, sepse në fund ata do të dënohen me kusht, ashtu siç janë dënuar më herët edhe ish-zyrtarë të tjerë të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion”, është shprehur Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, qëllimi i institucioneve tona është të lavdërohen, se gjoja kanë përmbushur kushtin për liberalizim të vizave.

“Qytetarët e Kosovës do ta fitojnë liberalizimin e vizave, por jo duke e plotësuar edhe kushtin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Institucionet tona do të lavdërohen se gjoja e kemi plotësuar edhe këtë kusht, kurse ata do të shtiren se gjoja e kemi plotësuar këtë kusht”, ka shtuar analisti Faik Krasniqi.