Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla transformoi një investim prej 16.3 milionë lekësh në një kapital me vlerë 1 milionë eurosh, përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen kafeje-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash, ndërkohë që pretendon se çdo pronë e tij është e ligjshme.

Një person i dënuar për vrasje, një biznesmen kafeje- fitues i një tenderi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe një instruktor hipizmi i përdorur si ndërmjetës për blerje tokash janë personazhet që lidhin bashkë një zinxhir transaksionesh financiare, që i mundësuan ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla të dhjetëfishojë pasurinë e tij.

Ky rreth i vogël ortakësh kontroversë hyri në biznes me ish-kreun e Prokurorisë duke i shitur toka të lakmueshme në periferi të Tiranës me çmime disa herë nën vlerën e tregut ose duke ia blerë ato me çmime reale; skemë kjo që i mundësoi Llallës të transformojë investimin e tij prej vetëm 16.3 milionë lekësh në një kapital të vyer me vlerë afro 1 milion euro.

Transaksionet multimilionëshe, që si burim kryesor kanë shitjen e një toke në kushtet e dyshimta të konfliktit të interesit janë bërë objekt i një procedimi penal të regjistruar kundër Llallës: i pari i këtij lloji në Shqipëri ku një Prokuror i Përgjithshëm dyshohet për pastrim parash.