Emrush Gashi, 58-vjeç, i cili dyshohet për vrasjen e vëllait, Mali Gashi, 54-vjeç në Tërbovc të Lipjanit, vazhdon të jetë në arrati që nga mesi i këtij muaji, raporton Indeksonline.

Policia e Kosovës e ka shpallur publikisht në kërkim që nga e premtja, mirëpo deri më tani i njëjti nuk është arrestuar.

“Referuar rastit të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Tërbovc– KK Lipjan, më datë 14.07.2018, ku një person (mashkull) M.G 54 vjeç, është vrarë nga arma e zjarrit, Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë me urdhëresë të Prokurorisë së shtetit, shpallë në kërkim personin e dyshuar: Emrush (Bajram) Gashin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen apo çfarëdo informacioni tjetër që lidhet me rastin, sipas njoftimit, luten ta njoftojnë policinë në numrat 192 si dhe 044-506- 091.

Pasi i dyshuari ka nënshtetësi të huaj, mund ta këtë lëshuar territorin e Kosovës pas kryerjes së krimit, por për këtë askush nuk ka asnjë informacion.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka një ditë pas vrasjes kishte thënë për Indeksonline se autoritetet kufitare janë njoftuar me kohë pasi i dyshuari mund të dalë jashtë vendit.

Ndryshe vëllezërit Gashi prej vitesh kishin probleme me pronën ndërsa i dyshuari kohë më parë kishte vrarë edhe një fqinj të tij për të cilën vrasje kishte mbajtur 13 vjet burg./Indeksonline/