Virusi i Nilit Perëndimor po kthehet në shqetësim serioz për kontinentin. Rreth 20 të vdekur numërohen në vendet e rajonit dhe Itali. Mbi 200 janë të infektuarit.

Bilancin më të rëndë në rajon e ka Serbia, ku ditët e fundit janë shënuar 11 të vdekur dhe 126 të infektuar, kryesisht në Beograd. Problematike situata është edhe në Greqi, ku virusi i ka marrë jetën 5 personave dhe ka infektuar 77 të tjerë. Një 82-vjeçar humbi jetën në Kosovë i prekur nga ky virus, ndërsa autoritetet përllogarisin 2 të infektuar të tjerë.

Virusi i Nilit Perëndimor i ka marrë jetën 3 personave në Itali, ndërsa shifrat zyrtare flasin për mbi 80 të infektuar.

Numrin më të lartë fataliteteve dhe të të prekurve e mbajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku 41 persona kanë humbur jetën nga 1.118 të infektuar.

Pjesa më e madhe e viktimave janë të moshuarit që konsiderohen edhe kategoria më e cënueshme. Virusi përhapet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave. Autoritetet e vendeve të rajonit kanë nisur fushatat e dizinsektimit, ndërsa qytetarëve u bëhen thirrje për të qëndruar larg zonave të frekuentuar nga turistët ku mundësitë e përhapjes së virusit janë më të mëdha.

Ekspertët thonë se në 80% të rasteve simptomat janë të pandjeshme. Zakonisht, ato shkaktojnë temperaturë, dhimbje koke, të vjella e irritime të lëkurës./Tv Klan