Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë me dije se në laboratorët e tyre kanë detektuar praninë e virusit të “Nilit Perëndimor” tek njëri nga pacientët e shtirë në Klinikën Infektive të QKUK-së, njofton Klan Kosova.

“Virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri, por duhet përcjellur situatën epizootologjike te kafshët me aksent të veçantë te kuajt dhe duhet shikuar mundësinë e hulumtimit aktiv të rasteve gjate muajve të verës dhe vjeshtës”.

Deri tani sipas IKSHP-së 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të “Nilit Perëndimor” në gjithë Evropën brenda një jave, ndërsa në Kosovë një personit të moshuar me sëmundje kronike iu ka rënduar gjendja nga ky virus.

“Ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut në nivel qendror dhe periferik janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes”.

“IKSHP është duke hulumtuar burimet e këtij infeksioni dhe situata është nën kontroll. Aktualisht nuk ka vend për panik”.

“Nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes këtyre ditëve ku vërehet numër i shtuar i mushkonjave”.

“Nga departamentet komunale kërkohet të bëjnë dezinfektimin në komunat e veta sipas rekomadimeve të OBSH”.

“Edhepse në rreth 80 për qind të rasteve, pacientët e infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë, virusi i “Nilit Perëndimor” mund të shkaktojë përfundim fatal te njerëzit”.