Ndihmës trajneri i Chelseat, Gianfranco Zola, ka bërë të ditur se ylli belg, Eden Hazard, pritet të kthehet në kohë nga lëndimi për ndeshjen e së dielës kundër Crystal Palace në Premierligë, pasi që do të kthehet në stërvitje nesër.
Hazardi mungoi në dy ndeshjet e fundit të Chelseat, të dyja fitore, kundër Bate Borisovit në Evropa Ligë dhe kundër Burnley në Premierligë. Edhe pse belgu është ylli i ekipit, skuadra e Maurizio Sarrit arriti fitore me rezultat bindëse në të dy këto ndeshje, transmeton Gazeta Express.

Për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta gjatë ndeshjes kundër Manchester Unitedit në Stamford Bridge, Hazardi kishte pësuar dëmtim në shpinë dhe kjo ishte arsyeja pse nuk kishte patur mundësi as të stërviste me skuadrën e tij gjatë javës së fundit.

Ndeshja e radhës për Chelsean do të jetë të mërkurën në Carabao Cup kundër Derby Countyt, mirëpo Zola ka bërë të ditur se Hazardi ka gjasa të luajë vetëm në ndeshjen në fundjavë, por jo edhe kundër ekipit të Frank Lampardit.

“Ai është në gjendje më të mirë tani. Nuk jam i sigurt për sot, por nesër ai do të na bashkohet në seancën stërvitore. Nuk mendoj se është i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e nesërme”, ka thënë Zola.

“Por, ai duket në gjendje mjaftueshëm të mirë shëndetësore për të luajtur në fundjave. Jemi të lumtur për këtë gjë sepse ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë”.