Mesfushori francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, i ka dhënë fund spekulimeve për kthimin e tij në Juventus, duke thënë se ka respekt për ish-klubin e tij, megjithatë ndihet në shtëpi me “Djajtë e kuq”.

Pogba kishte triumfuar me Kombëtaren e Francës në turneun e Kupës së Botës në Rusi, megjithatë ai që nga atëherë është kritikuar nga tifozët e klubit se nuk performon në të njëjtën mënyrë edhe për klubin, transmeton Gazeta Express.

Përveç kritikave që ka marrë nga legjendat e klubit dhe analistët e futbollit, Pogba ishte zënë edhe me trajnerin e skuadrës, Jose Mourinho. Sky Sports News e kishin publikuar një video ku qartësisht shiheshin ata të dy duke u zënë në një seancë stërvitore.

Gjatë përfundimit të afatit kalimtar të verës dhe pas fillimit të sezonit të ri, mediat kanë raportuar se Pogba dëshiron të largohet dhe dy klubet me gjasat më të mëdha për t’i siguruar shërbimet e francezit ishin Barcelona dhe Juventusi.

“Kam shumë respekt për Juventusin. Por, unë jam kthyer në shtëpi. Unë iu bashkova akademisë së Unitedit. Jam në shtëpi këtu dhe do të mbetet gjithmonë kështu. Unë u rrita me bashkëlojtarët e mi dhe tani jemi ribashkuar në ekipin e parë, kështu që kjo është një histori e bukur”, ka thënë Pogba.

Pogba kishte kaluar katër sezone me Juventusit, nga viti 2012 ku ishte transferuar pa para nga Manchester Unitedi. Megjithatë, “Djajtë e kuq” u penduan që e lanë Pogban të largohej kur ai u bë i njohur si një prej mesfushorëve më të mirë në botë me Juventusit dhe u detyruan të paguajnë 105 milionë euro për të.