Ish-trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, u bë i njohur për shumë gjëra gjatë karrierës së tij 26-vjeçare me “Djajtë e kuq”, por aftësia e tij për ta kontrolluar mendjen e kundërshtarit cilësohet një prej aftësive të tij më të mrekullueshme.
Fergusoni shpesh luante me mendjen e kundërshtarit, para dhe gjatë ndeshjeve, duke e përdorur aftësinë e tij për ta manipuluar kundërshtarin, edhe kur ky kundërshtar ishte ish-lojtari i tij, Cristiano Ronaldo, transmeton Gazeta Express.

Kur Ronaldo u kthye në Old Trafford për herë të parë që nga transferimi i tij në Real Madridi, Fergusoni vendosi t‘i bënte disa gjëra për ta shpërqendruar portugezin. Ai kishte filluar përgatitjet e tij qysh para ndeshjes.

Para se të fillonte ndeshja, Fergusoni e kishte udhëzuar stafin e tij që formacioni i Real Madridit të lexohej i dyti, pas formacionit të Manchester Unitedit, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë në Old Trafford.

Ky ndryshim bëri që në sekondën e fundit para se të fillonte ndeshja të thirrej emri i Ronaldos. Tifozët e Manchester Unitedit brohoritën me zë të lartë kur u përmend emri i portugezit, i cili u emocionua shumë nga ky veprim dhe i përshëndeti me dorë tifozët.

Disa sekonda më vonë, tifozët filluan të këndonin “Viva Ronaldo” në Old Trafford dhe besohet se këtë gjë e kishte nxitur Fergusoni me qëllim për ta larguar vëmendjen e portugezit nga ndeshja.

Kjo taktikë e skocezit kishte funksionuar deri në një shkallë. Ronaldo nuk kishte performuar mirë në atë ndeshje dhe e kishte humbur topin në disa raste. Megjithatë, saktësia e tij para portës ia dha Real Madridit golin e nevojshëm për ta siguruar kualifikimin.