Burime të ndryshme kanë bërë të ditur, që Administrata amerikane, duke e përfshirë edhe Ambasadën në Prishtinë, si dhe komponentin ushtarak, e kanë shkëputur bashkëpunimin dhe komunikimin me Ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha si dhe me zëvendësministrin, Agim Çeku, pas ngritjes së akuzave për falsifikim të lisave të veteranëve. Sipas Prokurorisë, rreth 20 mijë veteranë të rrejshëm të Republikës së Kosovës, i kanë shkaktuar dëme shtetit në shumë prej 68.153.533.14 euro. Berisha e Çeku janë vartës të Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, i cili përveç përgjegjësisë zyrtare ndaj tyre, vazhdimisht ka insistuar se ishin rreth 60 mijë ushtarë të UÇK-së vetëm në Rrafshin e Dukagjinit. “Vetëm në Dukagjin ka pasë më shumë se 50-60 mijë njerëz në luftë”, kishte deklaruar ai në një emision televiziv.

Listat e veteranëve të rrejshëm, po dalin të jenë problem edhe më i madh se që është menduar më parë.

Kjo, pasi një muaj më parë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për 12 persona të cilët dyshohen se kanë falsifikuar me këto lista.

Në bankën e të akuzuarave do të ulen edhe Ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, si dhe zëvendësi i tij, Agim Çeku.

Por, ky nuk është i vetmi problem që i ka dalë Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Burime të ndryshme kanë bërë të ditur, që Administrata amerikane, duke e përfshirë edhe Ambasadën në Prishtinë, si dhe komponentin ushtarak, e kanë shkëputur bashkëpunimin dhe komunikimin me Ministrin e FSK-së, Rrustem Berisha si dhe me zëvendësministrin, Agim Çeku, pas ngritjes së akuzave për falsifikim të lisave të veteranëve.

Sipas Prokurorisë, rreth 20 mijë veteranë të rrejshëm të Republikës së Kosovës, i kanë shkaktuar dëme shtetit në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, drejtohej nga Agim Çeku, ndërsa aty bënte pjesë edhe ministri Rustem Berisha.

Përgjegjës edhe Haradinaj

Berisha e Çeku janë vartës të Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, i cili përveç përgjegjësisë zyrtare ndaj tyre, vazhdimisht ka insistuar se ishin rreth 60 mijë ushtarë të UÇK-së vetëm në Rrafshin e Dukagjinit.

“Vetëm në Dukagjin ka pasë më shumë se 50-60 mijë njerzëz në luftë”, kishte deklaruar ai në një emision televiziv.

Bazuar në deklaratën e kryeministrit, por edhe në rolin e tij si drejtues i ekzekutivit, atëherë i bie që përgjegjësia kryesore për fryrjen e listave, të bie mbi të.

Haziri: Kjo do të duhej të përbente një shqetësim serioz për institucionet

Analisti politik, Nexhat Haziri ka thënë për “Bota sot” se, nëse janë shkëputur komunikimin me ministrin e FSK-së, Berishën si dhe me zëvendësministrin, Çeku, kjo do të duhej të përbente një shqetësim serioz për institucionet e shtetit, në veçanti për qeverinë e Kosovës.

“Është e vërtetë që tashmë disa ditë është duke qarkulluar në media një informatë e tillë , dhe po që se është e vërtetë apo zyrtare kjo do të duhej të përbente një shqetësim serioz për institucionet e shtetit, në veçanti për qeverinë e Kosovës, sidomos tani kur kemi një pajtim të SHBA-ve që të filloj procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës””, ka thënë ai për media.

Image
Nexhat Haziri
FOTO GALERI
Gjithashtu, Haziri pret që Haradinaj të reflektoj dhe t`i shkarkojë sa më parë nga detyra ministrin Berisha dhe Çekun.

“Unë pres që në këtë drejtim të reflektoj kryeministri Haradinaj, që nëse është zyrtare se Administrata amerikane, përfshirë Ambasadën në Prishtinë dhe komponentin ushtarak e ka shkëputur bashkëpunimin dhe komunikimin me ministrin e MFSK-së Rrustem Berisha dhe me zëvendësministrin e tij Agim Çeku, prej se janë shpallur aktakuza për veteranët e rrejshëm, duhet sa më parë ti shkarkoj nga detyra Ministrin Berisha dhe z/ministrin Ceku”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se me vazhdimin e punës së këtyre zyrtarëve nuk mund të ketë bashkëpunim e as përkrahje nga partnerët kryesor siç janë SHBA-të, jo vetëm në procesin e formimit të Ushtrisë së Kosovës, por edhe në të tjera cështje të rëndësishme.

“Vazhdimi i punës së këtyre zyrtarëve qeveritar si drejtues të ministrisë së FSK-së, do ta lëndojnë procesin e nisur të transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, pasi me të tilla kritere, duke pasur njerëz me aktakuza, nuk mund të bashkëpunosh e as të kërkosh përkrahje nga partnerët kryesor siç janë SHBA-të jo vetëm në procesin e formimit të Ushtrisë së Kosovës por as edhe në procese të tjera çfarëdo qofshin ato”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

Tërnava: Ka dy anë të medaljes

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka deklaruar për “Bota sot” se situatën e krijuar rreth kësaj çështjeje, të krijimit të FSK në ushtri, duhemi të shikojmë nga dy anët e medaljes, në njërën anë është se SHBA-ja ka konfirmuar pranimin për shnëddërrimin e FSK-së në ushtri dhe ana tjetër është ngritja e akuzave nga Prokuroria për listat e veteranëve të rrejshëm.

“Shtetet mike që na kanë ndihmuat të Çlirohemi nga armiku shekullor, sikur në këtë rast SHBA me aleatet e saj, dhe që përjetë i konsiderojmë miq, dhe kanë kontribuuar që ne sot të jemi të lirë, ata në çdo kohë do të qëndrojnë pranë nesh dhe do mundohen edhe në situata të paqes të na ndihmojnë. Me vetë faktin e një deklarimi diplomatik të SHBA-së, të tillë sikur janë shprehur, lë të nënkuptohet se, ju kur jeni në situatë që duhet të ju ndihmojmë, duhet edhe të na dëgjoni për angazhimet dhe ndihmën që duam të ju japim sikur miqtë tuaj që jemi. Situatën e krijuar rreth kësaj çështjeje të krijimit të FSK në ushtri, duhemi të shikojmë nga dy anët e medaljes. Kryeministri që ishte në vizite në Amerikë, me bisedat me zyrtare të lartë të Administratës amerikane, na e konfirmoi se Amerika po pranon shndërrimin e FSK me ligj në ushtri të Kosovës, me të njëjtin emër si FSK. Ndërkohë, nga Prokuroria Speciale akuzohen 12 eproret kryesor të luftës për mashtrime të „listave të rrejshme të veteranëve“ e në mesin e këtyre 12 eproreve gjenden edhe Ministri i FSK-së Rrustem Berisha dhe zëvendësministri Agim Çeku”, është shprehur Tërnava.

Për ekspertin e sigurisë, në situatën e tillë që është krijuar tani me këto akuza të Prokurorisë Speciale, ose duhet të marrin fund hetimet e këtyre akuzave ndaj „veteranëve të rrejshëm“ ose kjo akuzë të shpallet jo ligjore, meqë po pranohet se në mesin e 20 mijë veteranëve të rrejshëm ka edhe shumë ushtarë veteran të vërtetë që i njeh opinioni si të tillë.

Hajrullah Ternava

Ndërsa, sa i përket shkëputjes së komunikimit me Ministrin dhe zëvendësministrin e tij, Tërnava ka thënë se ShBA-ja kërkon të zbatohen ligjet ekzistuese nëse dikush gjendet nën akuzën për vepra kriminale.

“Administrata amerikane, përfshirë Ambasadën në Prishtine, përfshirë komponentin ushtarake e ka shkëputur bashkëpunimin dhe komunikimin me ministrin e MFSK-se Rrustem Berisha dhe me zëvendësministrin e tij Agim Çeku, nga momenti i shpalljes se aktakuzave për veteran të rrejshëm. ShBA-ja është shtet demokratik i cili kërkon të zbatohen ligjet ekzistuese në fuqi, dhe nëse dikush gjendet nën akuzën për vepra të renda kriminale sikur në këtë rast me aktakuzën nga Prokuroria Speciale e Kosovës për „listat e veteranëve të rrejshëm“, ata kërkojnë që të dyshuarit e aktakuzës të shkarkohen nga postet e tyre të tanishme, deri në përfundimin e hetimeve nga prokuroria në fjalë, dhe gjykimit të tyre përfundimtar”, ka potencuar Tërnava për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar më tutje, se Qeveria e Kosovës është dashur që të kërkojë dorëheqjen e Berishës dhe të Çekut, e në këto poste të emërohen persona të tjerë.

“Qeveria e Kosovës me ngritjen e kësaj aktakuze nga ana e Prokurorisë Speciale që nga dita e parë kur është procedua në gjykatë, është dashur që këtë rast ta spastroj, dhe ti kërkoj gjithsesi dorëheqjet e Ministrit dhe Zv. Ministrit të FSK, dhe në këto poste ti emëroj persona tjerë që do ti kryenin detyrat në vazhdim e sipër në këto poste sikur i ceka më lartë. Situata e tanishme e kësaj qeverie jo funksionale, e sidomos me këtë gabim që deri më tani e ka shukatë rastin, ishte dashur që të dorëhiqen, dhe të shkohet në zgjedhje të reja dhe të dilet nga ky ngërç nga i cili Kosova ditë e për ditë po ngulfatet dhe po hynë në kriza edhe më të mëdha të qeverisjes së këtij vendi”, ka deklaruar Tërnava për “Bota sot”.

Burjani: Personat e akuzuar do të duhej të japin dorëheqje

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani ka theksuar për “Bota sot” se, çështja e aktakuzave nuk mund të ndërlidhen me individët.

“Për këtë temë nuk ka të dhëna, SHBA e përkrahin FSK dhe transformimin kushtetues të ushtri, pra çështja e aktakuzave nuk mund të ndërlidhen me individët, prandaj SHBA e përkrahin FSK, përderisa personat e apostrofuar nga prokuroria do të trajtohen si rastet veçanta dhe të izoluara nga institucioni ku punojnë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Blerim Burjani

Gjithashtu, ka shtuar se personat nën aktakuzë duhet të japin dorëheqje prej posteve.

“Objektivisht personat nën aktakuzë duhet të japin dorëheqje prej posteve. Çështja e veteranëve është skandali me i madhe përveç fusnotës”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

Ndryeshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, me datë 10 tetor të këtij viti, ka kthyer aktakuzën mbrapa në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në precizim.

“Është vendosur që aktakuza t’i kthehet në precizim dhe qartësim Prokurorisë Speciale të Kosovës pasi që nuk është përpiluar konform nenit 241 paragrafi 1 pika 1.4 e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Gazeta “Bota sot”, të dielën nuk ka arritur të marr përgjigje nga institucionet e apostrofuara në këtë çështje.