Raportet e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj kanë filluar të acarohen.

Krejt ky acarim po vjen për shkak idesë për ndarjen e Kosovës, apo korrigjimit të kufirit.

Këtë ide presidenti Thaçi e ka lansuar dhe nuk dëshiron që ta harroj, edhe pse kjo është kundër integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Me këtë ide nuk po pajtohet kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tashmë e ka shpallur të vdekur. Por Thaçi, si një inatçi i madh, po i kundërpërgjigjet me çka do që mundet Haradinajt.

Për ta lartësuar idenë e tij Thaçi ka filluar edhe gënjeshtrat e tij publike, se pa një marrëveshje me Serbinë, do të ketë një lufte në rajon. Madje ai tha se idenë e tij po e përkrah edhe Franca, e këtë sot e demantoj presidenti francez Macron.

Për shkak se idenë e Thaçit nuk e përkrahin as ndërkombëtarët, konkretisht miqtë tanë SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe etj, ka dhënë dorëheqje edhe këshilltari i presidentit Davit Philips.

Analisti politik, Leon Duhanaj thotë se, deklaratat e presidentit Thaçi kundrejt kryeministrit Haradinaj, janë shpërfaqje të problemeve reale në komunikim mes segmenteve institucionale në vend.

Image
Leon Duhanaj
FOTO GALERI
“Presidenti Thaçi, sipas qasjes që ka treguar kohëve të fundit, duket sikur të ketë hipur në një tren pa ndalesë dhe pa kthim. Në këtë rrugëtim, nuk heziton ta shtyj edhe Kosovën, edhe pse rrugëtimi duket të jetë personal i tij. Kishte ca shenja që Kryeministri nuk do ta ndiqte, të paktën jo me dëshirë në ketë udhëtim dhe këtë filloj ta thotë hapur. Tani, Presidenti ndihet i kërcënuar dhe, nuk do të lë gurë pa rrotulluar, ose ta nënshtroj Kryeministrin Haradinaj duke e shtyrë të punoj sipas planeve të tij, ose do të bëj çmos që ta rrëzoj nga qeverisja”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ndoshta do të jetë kjo e fundit, pra do të mbetët nën kërcënim duke e shfrytëzuar si shenjë për ndikim dhe për ta nënshtruar më lehtë.

Duhanaj thekson se, tani do të shihet se sa ka ndikim Thaçi në këtë shoqëri politike.

“Sa ka ndikim në partitë parlamentare sepse një President agresiv që nuk brengoset për asgjë. Madje edhe ka kurajë t’i kërcënoj qeveritarët si të ishte mbret e jo president i sanksionuar me Kushtetutë. Kjo maskaradë politike, duhet të marrë fund sa më parë! Për këtë duhet të marrin përgjegjësi të gjitha partitë. Kosova ka nevojë për unitet politik dhe një platformë si të dilet nga ky kolaps”, përfundon analisti Leon Duhanaj.