Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimovic, ka zbuluar se ai u transferua në klubin amerikan LA Galaxy, në Major League Soccer (MLS), pasi që nuk dëshironte ta zhgënjente Jose Mourinhon dhe frikësohej se kjo gjë do të ndodhte nëse qëndronte në Manchester United.

Qendërsulmuesi shkoi në LA Galaxy si transferim i lirë pasi që u lëshua nga kontrata e tij me Manchester Unitedin në mars të këtij viti, pas një lëndimi që e la atë jashtë fushës për një kohë të gjatë, transmeton Gazeta Express.

Ibrahimovici arriti t’i shënojë 28 gola në sezonin e tij të parë për skuadrën e Jose Mourinhos, por dëmtimi i ligamenteve të gjurit në fund të sezonit 2016/17 e mbajti atë jashtë fushave të futbollit deri në nëntor të sezonit të ardhshëm.

Ibrahimovici vazhdoi të tentonte të luante edhe në fillim të vitit të ri, mirëpo ai nuk arrinte t’i përsërite paraqitjet e tij, dhe në librin e tij të ri “Unë jam Zlatan Ibrahimovic”, e zbulon bisedën që e kishte bërë më ish-trajnerin e tij.

“Nëse doni që unë të luaj, unë do të luaj, por unë nuk t’iu zhgënjej. Nuk mund të performoj ashtu siç bëj zakonisht”, i kishte thënë Zlatani Mourinhos gjatë fundit të karrierës së tij në Mançester.