Ylli francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka thënë se ai nuk është penduar që vendosi të kthehej në Angli nga Juventusi, si dhe ka thënë se ai nuk është ndikuar nga vendimi i trajnerit Jose Mourinho për t’ia marrë shiritin e kapitenit.
Manchester Unitedi do të ndeshet sonte në stadiumin Allianz me Juventusin, ish-klubin e Pogbas. Vendimi i francezit për t’u kthyer te “Djajtë e kuq” është diskutuar shumë, pasi që raportohet se ai nuk është i lumtur me klubin e tij dhe është penduar për zgjedhjen që kishte bërë, transmeton Gazeta Express.

Kjo pakënaqësi e francezit thuhet se vjen pasi që ai nuk ka marrëdhënie edhe aq të mira me Mourinhon, i cili pas një zënke dhe pas kritikave publike, ia mori shiritin e kapitenit francezit.

“Nuk pati ndikim te unë. Unë jam ende duke luajtur dhe jam i lumtur për këtë gjë. Trajneri është ai i cili zgjedh se kush do të jetë kapiten. Nëse ai ma merr shirin e kapitenit, kjo nuk ndryshon asgjë për mua”, ka thënë Pogba.

“Unë dua vetëm të luaj, të performojë mirë dhe ta japë më të mirën time për ekipin, tifozët dhe klubin dhe kjo është e gjitha. Ky vendim i tij nuk më preku dhe as nuk ndikoi te unë”.

“Vendimi për t’u kthyer në United, pikë së pari, ishte zgjedhja ime. Juventusi luante në Ligën e Kampionëve, ndërsa Manchester Unitedi në Evropa Ligë. Nuk jam penduar për zgjedhjen time”, është shprehur Pogba.

“E di se Manchesteri në vitet e fundit nuk ka qenë në formën më të mirë të mundshme por unë u ktheva për t’i ndihmuar skuadrës për t’u kthyer në top formë. Ne kemi shumë synime. Për mua, nuk ka ndryshuar asgjë, nuk jam penduar”.

“Jam shumë i lumtur që jam kthyer në United dhe jam i sigurt se ne do të bëhemi përsëri më të mirët. Mendoj se ka shkuar mirë. Sezonin e parë i fituam tre trofe. Sezonin e dytë përfunduam në pozitën e dytë dhe shkuan në finalen e FA Cup”.

“Personalisht mendoj se kjo gjë ka qenë e mirë për mua, e mirë për skuadrën. Natyrisht, ne gjithmonë presim më shumë dhe më mirë nga vetja, por mendoj se jemi në rrugë të drejtë. Unë jam i lumtur me paraqitjet e mia dhe me atë që e kemi arritur në dy vitet e fundit”.