“Koha për ndryshime të mëdha përndryshe dështimet janë shumë të rënda dhe të pakthyeshme. Hashim Thaçi është duke vepruar me “thikë në qafë” nga Gjykata Speciale që e ka krijuar vetë”, thotë publicisti Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka qenë i qartë në qëndrimin e shtetit që ai përfaqëson lidhur idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se Austria dhe Bashkimi Evropian do të pranojnë çdo marrëveshje që pranojnë Kosova dhe Serbia, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimin e territoreve.

Kështu ka deklaruar kancelari austriak Sebastian Kurz, gjatë vizitës që ka zhvilluar të martën në Kosovë me presidentin Hashim Thaçi.

Kancelari austriak ka thënë se askush nuk do të jetë kundër nëse një marrëveshje arrihet në mes të dyja vendeve, madje ai është shprehur se askush në Bashkimin Evropian nuk do të ishte kundër çfarëdo lloj marrëveshje që arrihet.

“Qeveria federale e Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje e cila merret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prishtinë dhe Beogradit, dhe ne mbështesim këtë marrëveshje. Pra, ne jemi të bindur se nëse ia dalim që të arrihet një marrëveshje atëherë askush nuk do të jetë kundër asaj marrëveshje. Për atë arsye nga ana jonë do ta ketë mbështetjen e plotë një marrëveshje e tillë dhe mendoj që kjo është edhe në kuadër të Bashkimit Evropian çfarëdo qoftë marrëveshja dhe nëse është korrigjimi i kufijve ose nëse është shkëmbimi i territoreve, atëherë kjo mbështetet nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Kur ka folur për dialogun ai ka qenë i qartë, duke thënë se pa një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, të dyja vendet nuk do të kenë perspektivë evropiane. Ai ka thënë se një marrëveshje paqeje është baza për çdo përafrim të mëtutjeshëm në BE, si dhe është baza për anëtarësim në BE.

Ai ka pasur edhe një lutje për qytetarët e Kosovës, që sipas tij duhet të mbështetin një marrëveshje në mes të të dyjave vendeve.

Haki Abazi
Abazi: Thaçi po kontrabandon ide serbe

Analisti politik Haki Abazi thotë se, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke përgatitur terrenin që të bëjë kontrabandimin e idesë serbe.

“Ai do ta paguaj këtë me çmimin e tradhtarit. Kurz është i njohur për mbështetje të liderëve problematikë në Ballkan. Në mes të fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit në kapacitetin e ministrit të Punëve të Jashtëm, Kurz ka vizituar Maqedoninë dhe ka mbështetur kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevski. Ai është kritikuar rëndë për anshmëri. Vizita e tij u bë në prag të takimit në Paris që gjithashtu po tentohet të keqpërdoret nga Thaçi dhe Vuçiq. Kurz duke e ditur mirë se kjo që po propozohet është kundër interesit të Kosovës tregoi qartazi që nuk ka as liberalizim e as ushtri dhe kjo tregon se sa shumë janë manipuluar qytetarët me demarkacionin, marrëveshjen për normalizim dhe formimin ushtrisë”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, asgjë të vërtet nuk ka ashtu siç nuk ka të vërteta që 15 vite nga premtimet e Hashim Thaçit.

“Koha për ndryshime të mëdha përndryshe dështimet janë shumë të rënda dhe të pakthyeshme. Hashim Thaçi është duke vepruar me “thikë në qafë” nga Gjykata Speciale që e ka krijuar vetë”, përfundon Haki Abazi.

FOTO GALERI
Zogiani tregon pse është e pritshme që të përkrahet ideja e Thaçit

Ndërsa, Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje pohon se, Thaçi ka thyer Kushtetutën dhe interesat e vendit, kurse shoqëria nuk ka pasur vullnet për të ndalur, andaj shton se është e pritshme që do të ketë edhe shtete që e përkrahin idenë e tij.

“Nëse për një kohë kaq të gjatë presidenti Hashim Thaçi ka arritur që në thyerje të Kushtetutës dhe interesave të vendit të flasë nëpër forumet ndërkombëtare, e shoqëria jonë nuk ka pasur kapacitet apo edhe vullnet për ta ndalur, është shumë e pritshme që do të ketë shtete që përkrahin këtë ide. Askush nuk mund ta ndalojë një shoqëri e shtet që ta dëmtoje veten për interesa të një shtetit tjetër ose të një pretendimi për stabilitet rajonal”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Faton Mehmeti
Mehmeti: Rreziku më i madh vjen nga Franca

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, thekson se, kancelari austriak nuk është ndonjë faktor i rëndësishëm siç është Gjermania, e cila faktikisht është kundër ndryshimeve të kufijve.

“Kancelari Sebastian Kurz është një përkrahës i Vuçiqit, e kjo nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po lexohet edhe si mbështetje për Kosovën. Në këtë mes Thaçi është rreshtuar krah Vuçiqit, dhe kushdo që e mbështet Vuçiqin rrjedhimisht mbështet edhe Thaçin”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”, i cili shton se, kjo nuk duhet lexuar si mbështetje ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj të mirë.

“Ka Serbia miq brenda BE-së të cilët po bëjnë përpjekje që duke i ndihmuar Serbisë të merr veriun e Kosovës do të mbyllin çdo tentative për destabilizimin të vendit, duke harruar se pikërisht me këso veprime po e dëmtojnë stabilitetin e Kosovës. Rreziku më i madh vjen nga Franca, e cila njihet për lidhjet tradicionale me Serbinë, derisa Austria me kancelarin e ri nuk shihen si faktor i madh. Gjithsesi shpresoj se Gjermania s’do ndryshoj qëndrim”, përfundon Faton Mehmeti.

Gjermania si përkrahëse

Gjermania dhe Austria kanë qëndrime diametralisht të kundërta për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarët nga Evropa Qendrore Merkel e Kurz kanë qasje të ndryshme ndaj dyshes Thaçi-Vuçiq dhe idesë së ndryshimit të kufijve.

Merkel ka paralajmëruar kundër kësaj ideje duke mbajtur një qëndrim kundërshtues përderisa Kurz po lobon haptas.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ua ka bërë të qartë Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit se prekja e kufijve në Ballkan rrezikon stabilitetin e rajonit.

Në një letër që kancelarja gjermane i ka kthyer liderit të opozitës, Isa Mustafës, para pak ditësh ka treguar se Gjermaninë e brengos lobimi për një ide që ndryshon kufijtë e shteteve ballkanike.

“Edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”, thuhej në letrën e Merkelit, të publikuar nga Lidhja Demokratike.