Ideja për korrigjim të kufijve është vetëm një thashetheme për të humbur gjurmën e presidentit Thaçi, në pazaret e tij të ulëta antishqiptare. Kështu ka vlerësuar analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

“Fillimisht duhet thënë se i ashtuquajturi “korrigjimi i kufirit“ është vetëm një thashetheme për të humbur gjurmën e presidentit Thaçi, në pazarët e tij të ulëta antishqiptare, i cili po përpiqet që ta shet Kosovën dhe kjo nuk ka dilemë është term shumë i rëndë dhe nuk do të dëshiroja në asnjë rrethanë, por fatkeqësisht presidenti është bërë argat i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe nuk ekziston korrigjimi aty, në mënyrën se si e shpjegon presidenti Thaçi. Është krejtësisht idioteske, pra as njeriu më i marrë nuk mund t’i besojë, se Serbia nuk po na njeh kështu si jem dhe në qoftë se i marrim edhe tri komuna të tjera, pastaj Serbia do të na njeh dhe atë e quan korrigjim kufijsh”, është shprehur Kelmendi.

Tutje, Kelmendi thekson se një popull normal do të duhej të ngrihej në mënyrë që ta rrëzoj nga pushteti, këtë njëri, që Kelmendi e quan si të rrezikshëm për pushtetin.

Jeton Kelmendi

“Është një tallje e ulët më popullin, dhe një popull normal do ngriheshin që ta rrëzonin nga pushteti këtë njeri kaq të rrezikshëm për pushtetin. Duhet pranuar faktin se skena politike është shumë fragjile, kanë ardhur në skenë, janë bërë deputetë e ministra persona, pra kanë marrë pushtet njerëzit të cilët nuk e meritojnë dhe që nuk e kanë mbështetjen. Për të gjitha problemet e brendshme të cilat i ka Kosova, kontribuues i madh është presidenti Thaçi dhe rasti konkret kur nuk kaloi rezoluta e opozitës dhe për këtë çështje ishte edhe vet Thaçi i interesuar dhe realisht e realizoi”, ka përfunduar Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, ish-negociatori i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, i angazhuar nga Zyra e Baroneshës Ashton, britaniku Robert Cooper, ditë më parë ka shkruar një letër private dhe konfidenciale, me që rast edhe ka zbuluar disa nga prapaskenat e negociatave sekrete që po bëhen për ndarjen e Republikës së Kosovës.

Në krye të kësaj letre potencohet se nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, por qëndron vetëm ideja që Serbia ta përvetësojë në gjirin e saj Veriun e Kosovës, me të vetmin përfitim për Kosovën, njohja e saj nga pala serbe.