Kryetari Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufcën, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazin, dhe zyrtaren nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, Diona Budimën, pritën në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, znj. Florence Mangin, Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Didier Chabert, Zyrtaren përgjegjëse për Kosovën, znj. Fanny Sebban, dhe përfaqësuesin e Zyrës Politike, z.Timothée Barbier.

Në këtë takim është biseduar për shumë çështje, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, ku edhe u prezantuan katër hapat që duhet të ndërmerren.

“(1) vlerësimi në Kuvend i 33 marrëveshjeve të dialogut gjshtëvjeçar dhe i (mos)zbatimit të tyre; (2) përcaktimi i qëllimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; dhe, më tej, pas zgjedhjeve të parakohshme: (3) platforma negociatore me parime; dhe (4) ekipi negociator me udhëheqës e strategji” ishin hapat për të cilët u diskutua” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Vetëvendosje.

Madje, Kurti e ka vlerësuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi si një astronaut të vetmuar në një anije kozmike që fluturon larg Tokës.

“Thaçi duket sikur një astronaut i vetmuar në një anije kozmike që fluturon larg Tokës, e prej nga propozon shkëmbim territoresh, duke u orvatur të zbarkojë në stacionin rus MIR. Atij i duhet ndalur e ndaluar kjo aventurë e rrezikshme, ai duhet të zbres në Kosovë e të shkojë në shtëpi.” ka thënë Kurti.

Ndryshe, të dy delegacionet u dakorduan që të shtojnë bashkëpunimet.