Derisa në Bruksel sonte pritet takimi i radhës i presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar sot shkuarjen e presidentit Hashim Thaçi atje.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se takimi i presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel nuk u lajmërua më herët me qëllim të pamundësimit të ndonjë organizimi institucional në Kosovë, apo reagim të opozitës dhe qytetarëve.

Duke përsëritur se Hashim Thaçi po dialogon në Bruksel pa mandat, zyrtarë të Vetëvendosjes thanë se është shqetësuese gatishmëria e presidentit të japë territor të Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia.

Sipas tyre, Thaçi do të duhej të paraqitej para gjykatës për këto veprime meqë, siç thonë ata, po e shkel Kushtetutën.

Në një konferencë me gazetarë, Glauk Konjufca ka thënë se Thaçi nuk ka njoftuar më herët për takimin, pasi ka dashur të pamundësojë çdo reagim të opozitës, apo qytetarëve, si dhe ndonjë organizim të mundshëm institucional.

Duke përkujtuar se Thaçi nuk ka mandat të Kuvendit të Kosovës të dialogojë në Bruksel, Konjufca tha se presidenti me shkuarjen e tij në takim me Akleksandar Vuçiqin po e shkel Kushtetutën, andaj duhet të lëshohej flet-arrest për të.

Konjufca: Thaçi duhet të përgjigjej para gjykatës, po e shkel Kushtetutën

“Me qenë në shtet qysh duhet dhe pas një kryeprokuror qysh duhet e jo këtë që e ka aktualisht Kosova, menjëherë do të lëshonte thirrje, dhe si rrjedhim i kësaj policia e Kosovës do të duhej të lëshonte urdhër arrest, që në momenti ne parë që Hashim Thaçi mbërri në aeroportin e Prishtinës dhe shkel në territorin e Republikës sonë, duhet të aktivizohet menjëherë urdhër arresti që presidenti të shfaqej në gjykatë, në një intervistim në Zyrën e prokurorit dhe t’i bëhej me dije se veprimet që po i bën janë shkelje edhe të kodit penal të Kosovës, sepse janë shkelje edhe të Kushtetutës së vendit tonë”, tha ai.

Sipas Konjufcës, Hashim Thaci ka nxjerr tre produkte të dëmshme për Kosovën, nga bisedimet me Serbinë: formimin e Listës Serbe, që siç tha ai, bllokon proceset ekzistenciale për shtetin e Kosovës, asociacionin serb dhe “legalizimin e pushtetit të Serbisë në Kosovë, në polici, AKI e drejtësi”.

Konjufca: Presidenti i gatshëm të japë territor në këmbim të njohjes nga Serbia

“Presidenti ynë po shkon pa mandat parlamentar në këtë takim me Vuçiqin, kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe më shqetësuese është gatishmëria e presidentit tonë për një marrëveshje me Serbinë, e cila e ka këtë kuptim: Presidenti Thaçi është në gjendje me paguar me territor të Kosovë njohjen e Serbisë. Ky mendoj është thelbi i projektit të cilin e ka prezantuar presidenti Thaçi prej qershorit të këtij viti. Lugina e Preshevës është vetëm mashtrim, i cili vendoset në diskursin e zotit Thaçi vetëm për ta justifikuar shkuarjen e tij dhe takimet që po i bënë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja Kosovë-Serbi është fare pranë, andaj për të mos prodhuar reagime legjitime, këto takime po mbahen ‘maksimalisht sekrete’.

Në këtë konferencë, po ashtu, u tha se Kosova mund të shtet i suksesshëm pa njohjen e Serbisë.