Xherdan Shaqiri nuk është përfshirë në skuadrën e Liverpoolit për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.

Trajneri Jurgen Klopp ka shpjeguar arsyen për mungesën e tij.

Reds janë planifikuar të nisen për në Serbi këtë mëngjes përpara ndeshjes të së martës.

Naby Keita dhe Dejan Lovren janë në mesin e atyre që do të bëjnë udhëtimin pas rikuperimit nga lëndimet.

Duke shpjeguar mos përfshirjen e Shaqirit në skuadër, Klopp ka thënë për Liverpoolfc.com: “Është një situatë ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli për të luajtur futboll”, përcjell Bota sot.

“Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet që flasin për atë lloj pritjeje që Shaqiri do të mund të merrte atje dhe megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne duam të shkojmë atje dhe të përqendrohemi 100 për qind në futboll dhe nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha”, ka thënë Klopp.

“Ne jemi Liverpool FC, një klub i madh, një ekip futbolli, por nuk kemi ndonjë mesazh më tej se kaq. Ne nuk kemi asnjë mesazh politik, absolutisht jo. Ne duam që fokusi të jetë në një lojë të madhe të futbollit, dhe jo në diçka tjetër”, ka shtuar ai.

“Ne jemi të etur të jemi të respektueshëm dhe të etur për të shmangur çdo tërheqje të vëmendjes që do të përqëndrohet larg nga një garë 90 minuta-plus që është e rëndësishme për futboll dhe vetëm futboll. Pra, për këtë arsye, Shaqiri nuk është i përfshirë dhe ai e pranon dhe e kupton këtë. Shaqiri është lojtari ynë, ne e duam atë, dhe ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën”, ka thënë më tej Klopp.

Skuadra udhëtuese e Liverpoolit:

Fabinho, Van Dijk, Wijnaldum, Lovren, Milner, Keita, Firmino, Mane, Salah, Gomez, Alisson, Sturridge, Moreno, Lallana, Mignolet, Robertson, Origi, Solanke, Matip, Kelleher, Alexander-Arnold./BS