Manchester Unitedit përfitoi nga shkarkimi i Jose Mourinho nga pozita e trajnerit të klubit, përkundër që u detyrua t’ia paguajë 20 milionë euro portugezit si dëmshpërblim për prishjen e kontratës, sipas një eksperti të financave në futboll.
Vlera e Manchester Unitedit në treg u ngrit për 190 milionë euro pas publikimit të lajmit se Mourinho është shkarkuar nga pozita e trajnerit të klubit, ka bërë të ditur një profesor në Universitetin e Liverpoolit, Kieran Maguire, transmeton Gazeta Express.

“Ata, sigurisht, kanë fituar më shumë para pasi e shkarkuan”, ka thënë Maguire.

Ole Gunnar Solskjaer u emërua si trajner deri në fund të sezonit, mirëpo Maguire thotë se suksesi komercial i Manchester Unitedit varet nëse trajneri i ri do të jetë i aftë që t’i fitojë ndonjë trofe klubit gjatë këtij sezoni.

“Ai [Mourinho] po e kthente klubin në një kompani toksike. Mundësia për ta pasur dikë më të pëlqyeshëm për mediat mund të ketë ndikim në sponsorët komercial dhe reklamuesit. Tregut i pëlqejnë këto gjëra”, ka thënë Maguire për Sky Sports.

“Suksesi i Manchester Unitedit në botën e tregut bazohet në paraqitjet në fushë dhe në trofetë e fituara. Ata nuk mund të shkojnë edhe për një kohë të gjatë pa këto dy gjëra”.

Mourinho u shkarkuar dje nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit në sezonin e tij të tretë me klubin anglez, pas disfatës kundër Liverpoolit me rezultat 3-1 në fundjavë. Në 144 ndeshje me “Djajtë e kuq”, Mourinho i ka arritur 84 fitore, 32 barazime , 28 humbje, me më një përqindje prej 58.3 fitoreje, raporton Gazeta Express.

Në sezonin e tij të parë me Manchester Unitedin, Mourinho i fitoi tre tituj: Evropa Ligë, League Cup dhe Community Shield. Sezonin e kaluar, të dytin për të, ai nuk arriti të fitojë asnjë titull me klubin e tij.

Mirëpo, ky sezon ka qenë mjaft zhgënjyes për Manchester Unitedin, pasi që ata tashmë janë 19 pikë prapa liderëve, Liverpoolit, dhe kjo gjë ka bërë që ai të shkarkohet nga pozita e trajnerit pas dy viteve e gjysmë në këtë pozitë.