Janë bërë gati dy muaj qëkur Kosova ka vendosur taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Tek tani zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë po vrapojnë pas asaj se kush i ka meritat për vendosjen e taksës. Përplasjet ndërmjet zyrtarëve të partive politike mbi atë se kush e dha i pari idenë për këtë vendim i inicioi presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar i ftohtë në raport me vendimin e Qeverisë Haradinaj për vendosjen e taksës. Madje, nuk e përjashtonte mundësinë e heqjes së saj. Por, kur kryeministri Ramush Haradinaj i ktheu përgjigje negative BE-së edhe pasi Frederica Mogherini ofronte që në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë emërtimi i shtetit tonë, UNMIK të zëvendësohet me Kosovo*, rëndësia për të vazhduar me aplikimin e taksës u bë edhe më e madhe.

Pikërisht ky vendim i ka shkaktuar miliona euro humbje Serbisë. Jehona e të cilit nuk po shuhet, përkundrazi po nxit tensione mes koalicionit aktual qeverisës.

Por kush e dha idenë për taksë?

Para tri ditësh, presidenti Hashim Thaçi tha se vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe u mor nga Enver Hoxhaj në koordinim me Kadri Veselin. Ndërsa Ramush Haradinaj dhe të tjerët e kanë votuar këtë vendim, u shpreh presidenti.

I menjëhershëm ishte reagimi i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj duke iu përgjigjur Hashim Thaçit se politikat bëhen nga koalicioni qeverisës dhe vendimet për ato politika i merr kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Për këtë temë, Limaj shtoi se gara për taksën s’i bën nder presidentit.

Me deklaratën e Limajt u mendua se po përmbyllej kjo çështje. Mirëpo, PDK-ja po shpërndan deklarata se ideja për taksën u dha nga zyrtarë të partisë së tyre.

Vetë, mbrëmë zëvendëskryeministri tjetër i koalicionit qeverisës, Enver Hoxhaj, tha se idenë për taksën e ka dhënë ai. E cila është mbështetur nga Ramush Haradinaj e Kadri Veseli.

“Unë jam ai që kam dhënë idenë për vënien e taksës. Ideja është përkrahur nga kryeministri Haradinaj dhe nga kryetari Veseli”, tha Enver Hoxhaj në RTK.

Për këtë debat Gazeta Express sot ka marrë një përgjigje nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj. Shefi i stafit dhe këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi, tha se programi i reciprocitetit ndaj Serbisë ka qenë pjesë e AAK-së që nga viti 2017. Duke mos dashur t’i komentojë deklaratat e Thaçit e Hoxhajt.

“Parimi i reciprocitetit është pjesë programore e AAK-së dhe kjo ka qenë kaherë e inkorporume në programin qeverisës. Unë nuk dua të komentoj zotri Hoxhajn e asnjë zyrtar tjetër lidhur me meritat për 10 përqindëshin. Por, mund të konstatoj se që në vitin 2017 në programin e AAK-së është inkorporu parimi i reciprocitetit si parim i cili mundet në plotëni të aplikohet në rast se do të vazhdonte politika serbe që ka qenë në vitin 2017”, tha Avni Arifi për Gazetën Express.

Ai shtoi se AAK-ja vendosjen e taksës e sheh vetëm si një hap drejt implementimit të plotë të aspektit programor të partisë së tij.

Lidhur me temën Gazeta Express ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, por ai tha se ndodhet jashtë vendit.

Sidoqoftë, Serbia ka humbur 500 milionë euro nga taksa 100 për qind. Për heqjen e taksës Kosovës po i bëhet presion i madh nga BE-ja. Vendosja e së cilës nuk ka një afat të caktuar se sa do të zgjasë.

Megjithatë, Qeveria Haradinaj ka paralajmëruar edhe masa të tjera reciprociteti ndaj Serbisë. /Gazeta Express