Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi sot në Berlin me shefin e diplomacisë gjermane Heiko Mass, kërkoi më shumë prani të Gjermanisë përmes ekonomisë dhe investitorëve të saj në vendin tonë.

Ai tha se prania e Kosovës përmes rreth 400.000 qytetarëve të saj në Gjermani dhe kontributi i Gjermanisë në ndërtimin e paqes për 20 vjet me radhë nga Bundeswehr-i dhe tashti angazhimit nëpërmjet GIZ-it dhe Kampit për Inovacion në Prizren vetëm sa thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve tona.

Tema të diskutimit në mes ministrit Pacolli dhe Maas ishin edhe përkrahja e Gjermanisë për përfundimin e negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke dhe anëtarësim të vendit tonë në OKB.

Ministri Maas tha se do të përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në përshpejtimin e procedurës së njohjes së patentë-shoferëve në mes dy vendeve.

***

Berlini dëshiron që Serbia dhe Kosova të kenë një dialog konstruktiv, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Ai sot në Berlin është takuar me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Siç tha ai, dialogu ndërmjet autoriteteve serbe dhe të Kosovës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve janë parakushtet për Beogradin dhe Prishtinën që t’i afrohen Bashkimit Evropian.

“Ne duam një dialog konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve është një supozim kyç se diskutimi mbi afrimin e tyre drejt BE-së do të shkojë në drejtimin e duhur, ” porositi diplomati gjerman.

Sipas ministrit gjerman, Berlini mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në të njëjtën kohë, Maas i kërkoi autoriteteve të Kosovës të bëjnë më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

***

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli në takimin që pati me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, ka thënë se kanë diskutuar për çështjen e Ekipit Negociator si dhe vendimin për taksën.

Pacolli deklaroi në adresimin për media në Berlin se Ekipi Negociator do të jetë në mbështetje të plotë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit të cilët do të punojnë në arritjen e një marrëveshje e cila pritet të përmbyllet gjatë këtij viti.

”Parlamenti ynë ka caktuar një grup dialogues që do të jetë në mbështetje të plotë të presidentit Thaçi i cili do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, që besoj se do të kryhet këtë vit ku do të kemi paqe me Serbinë”.

”Kjo e mundëson integrimin e mëtejshëm të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Serbia në bazë të kësaj marrëveshje duhet ta njeh përgjithmonë Kosovën”.

Veç kësaj Behgjet Pacolli pohoi se taksa e vënë ndaj mallrave të Serbisë, nuk është vendim ndëshkues por është sqarim për Serbinë që Kosova është shtet i pavarur dhe nuk negocion me askënd për statutin e saj, njofton Klan Kosova.

”Sa i përket masave që dikush i quan ndëshkuese, janë masa që ne kemi dhënë që cdo kush duhet të kuptojë që në pjesën Jugore të Serbisë, është një shtet që e ka shpallur Pavarësinë e saj dhe është shtet sovran. Kosova asnjëherë nuk do të diskutojë me askënd për statutin e saj”.

”Është diçka e duhur ku duhet të angazhohemi. Ne kemi marr çdo kund premtime, kemi përmbushur 95 kriteret për këtë qëllim. Urime Kosovës na u tha atëherë për përmbushjen e të gjitha kushteve, dhe për këtë arsye edhe neve presim që shteteve të vecanta që kanë premtuar t’i mbajnë këto premtime do të ishte e duhur dhe e nevojshme që shumë shpejt të arrihej liberalizimi i vizave”.

***

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka dhënë detaje se çka është diskutuar gjatë takimit që pati me homologun e tij gjerman, ministrin Heiko Mass në Berlin.

Ai ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë mirënjohës dhe falënderues ndaj shtetit të Gjermanisë që ka kontribuar në formimin e shtetit dhe demokracisë së vendit.

”Nuk është hera e parë që ne takohemi, kam mbetur i impresionuar për takimin tonë të parë që patëm në Paris”.

”Pata një diskutim shumë konstruktiv dhe besoj që ky takim do t’i shërben marrëdhënieve tona të shkëlqyera me palën gjermane. Gjermania si gjithmonë partneri kryesor i perëndimit për Kosovën, dhe qytetarët e Kosovës e Qeveria e saj janë mirënjohës dhe e falënderojnë Gjermaninë”.

”Gjermania gjithnjë ka kontribuar në forcimin e demokracisë në shtetformimin e Kosovës. Kjo njohje vazhdoi edhe me një mbështetje fantastike dhe këtë mbështetje e kemi ndjekur gjithmonë jo vetëm Qeveria por edhe qytetarët e Kosovës”.

”Kosova nuk e ka rrumbullaksuar shtetndërtimin e saj, vazhdon të ndërtojë rrugën e saj, përspektivën e vet europiane dhe këtu prapë nevojitet shumë angazhimi i Gjermanisë, e sidomos integrimi i mëtejmë i Kosovës e deri tek anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

”Gjermania ka kontribuar dhe vazhdon të komunikojë ekonomikisht, si partneri i dytë tregtarë për Kosovën por jo dhe vetëm si tregtar por edhe si investues. Jo shumë kohë ka kaluar kur në kampin ku ushtria juaj ishte në Prizren, ia dedikuat mirëqenies qytetare e kthyet në një qendër inkurajuese. Emri i Gjermanisë duhet të identifikohet po ashtu me Prizrenin”.

”GIZI është mjaft e rëndësishme, kemi përfituar edhe ekonomikisht por edhe eksperiencë. Ne si partnerë e meritojmë prezencën e GIZI-t në Kosovë. Kosova tani është edhe më e përgatitur dhe më atraktive për ardhjen e investitorëve”.

”Kosova në këtë kohë ka pasur rritje ekonomike, kemi rritur deri 4.3% nga viti i kaluar. Kjo do të thotë se kemi pasur ngritje të GTP-së”.

***

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass ka thënë se do t’i ofrohet çdo herë mbështetje Kosovës, duke përmendur që shteti gjerman ishte ndër të parët që njohur pavarësinë e Kosovës.

Këto deklarata, ministri Mass i dha në adresimin për media pas takimit që pati me ministrin Pacolli në Berlin.

Veç kësaj ai theksoi se mbetet ende për të punuar sa i përket luftës së korrupsionit që qytetarët e Kosovës t’i afrohen sa më shumë Bashkimit Europian.

”Ne kemi shoqëruar vendin tuaj që në fillim me mbështetjen tonë. Gjermania qysh në fillim është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës”.

”Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar në Kosovë. Mbetet shumë për të bërë sa i përket krimit ligjor, luftës së korrupsionit, kur bëhet fjalë për përafrimin e Kosovës me Bashkimin Europian”.

”Në këtë kontekst edhe marrëdhëniet me Serbinë janë pikë e rëndësishme të konsideratave tona, ka pasur disa hapa prapa në këtë drejtim kohëve të fundit”.

”Nuk kishim dashur që Serbia të kishte votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Ne e kemi mbështetur anëtarësimin e Kosovës, por edhe nëse vërtetë bëhet rikandidon ne prapë do ta mbështesim Kosovën për tu anëtarësuar në Interpol”.

”Kemi diskutuar gjithashtu se këtu në Gjermani ka disa rezerva sa i përket vendosjes së takses mbi importet e mallrave nga Serbia dhe që besoi që të gjitha përpjekjet do të çojnë në rezultate pozitive”.

”Shpresojmë që në këtë kontekst të vijohet një dialog që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve që është një kriter për të dyja vendeve në anëtarësinë e Bashkimit Europian”.

”Ne mbështesim përspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Kush i kthen shpinën Ballkanit Perëndimor, i kthen shpinën Europës. E rëndësishme është që të vijohet në implementimin e kësaj marrëveshje”.

Pacolli në Berlin, nis takimi mes dy kryediplomatëve

Ka filluar takimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.

Pas këtij takimi pritet që ministrat të mbajnë edhe një konferencë për media në orën 11:30.

Ditë më parë është raportuar se krahas temave bilaterale, në këtë takim do të flitet edhe për temat aktuale të Ballkanit Perëndimor.

Maas dhe Pacolli do të bisedojnë ndër të tjera edhe për nevojën “e pranisë edhe më të madhe të ekonomisë dhe investimeve gjermane në Kosovë, njohjen reciproke e patentave të shoferëve mes shtetasve të Gjermanisë dhe Kosovës, përkrahjen edhe të mëtejshme të diplomacisë së Gjermanisë në njohjet e shtetit të Kosovës.

Pacolli arriti ditën e djeshme në Berlin ku edhe u prit me nderime shtetërore.