Manchester Unitedi ka shënuar fitore si mysafir ndaj Arsenalit me rezultatin 3-1 në kuadër të rundit të katërt në FA Cup të premten në “Emirates Stadium”.

Ole Gunnar Solskjaer po vazhdon me fitoret e tij, e teta me radhë në të gjitha garat prej se erdhi si trajner në United në fillim të dhjetorit, asnjë humbje e asnjë barazim, raporton Gazeta Express.

Me këtë fitore të sotme, “Djajtë e Kuq” kalojnë në rundin e pestë të kupës.

Alexis Sanchez shënoi golin e parë në minutën e 31’ për United pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, dy minuta më vonë për 2-0 shënoi Jesse Lingard.

Pak para se të përfundonte pjesa e parë, Pierre-Emerick Aubameyang shënoi golin e parë për vendasit pas një asistimi të Alexandre Lacazette.

Në pjesën e dytë ishte skuadra e Unai Emery që po e kontrollonte ndeshjen dhe tentonte barazimin, mirëpo pas një kundërsulmi në minutën e 82’ djelmoshat e Solskjaer shënuan golin e tretë dhe atë final me anë të Anthony Martial.

Granit Xhaka i luajti 90 minutat e ndeshjes, kurse Shkodran Mustafi u fut në lojë në minutën e 21’, pasi zuri vendin e Sokratis Papastathopoulos, i cili u detyrua të largohet për shkak të lëndimit.

Ndeshja e ardhshme e United është në “Old Trafford” në kuadër të Premierligës më 29 janar ndaj Burnleyt, kurse Arsenal po ashtu luan në shtëpi ndaj Cardiff Cityt në kuadër të Premierligës.