Politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar deklaratën e Milaim Zekës i cili flet për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zeka ka thënë se, ideja e presidentit Hashim Thaçi është se, Leshaku dhe një pjesë e Kosovës të i takoj Serbisë, mirëpo jo liqeni i Ujmanit dhe Mitrovica, por Kosova do të marrë Preshevën, Medvegjën, Bujanocin me fshatra.

E për këtë, Tahiri thotë se, ndoshta Zeka mund të jetë i informuar.

“Mundet që deputeti Milaim Zeka, ka ndonjë informacion ma të saktë si zakonisht dhe ndoshta edhe din për ndonjë projektmarrëveshje që po behet së bashku me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shtoi se, rëndësishme është që të bisedohet pa imponime, që marrëveshja të jetë e vullnetshme dhe e pranueshme edhe për faktorin ndërkombëtar për BE dhe SHBA dhe që kjo marrëveshje të miratohet në Kuvend me dy të tretat e votave ose me referendum të qytetarëve.

“Që nënkupton demarkimin e kufirit të ri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që po quhet përkufizim i vijës së re kufitare ose korrigjim i lehtë i kufirit. Që do të thotë se delimitimi i tashëm i kufirit i trashëguar nga koha e ish Jugosllavisë si Krahinë autonome e Kosovës. A është kjo mirë apo keq varet nga këndvështrimi kombëtar dhe shtetëror. Si shtet Kosova humb territor ndërsa si komb shqiptarët fitojnë territor duke ia bashkangjitur Republikës së Kosovës territoret etnike me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës”, përfundoi Tahiri.