Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dikur një ndër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka kërkuar falje ish-bashkëluftëtarit të tij, Gani Geci, për komunikatën e UÇK, numër 59, për ekzekutimin e tij.

“Mund të them se komunikata numër 59, që përmendet në opinion, siç e ka theksuar Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, i udhëhequr nga Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, është një komunikatë abuzuese, që nuk i takon UÇK’së”, ka deklaruar Thaçi.

Komunikata në fjalë “është nxjerrë pa aprovim dhe dijeni nga individë keqbërës”, ka thënë Thaçi.

“Është lënduar luftëtari i radhëve të para të UÇK’së, në kuptimin moral e kombëtar, Gani Geci, dhe familja e tij”, është shprehur Thaçi.

“Shprehi ndjesë dhe keqardhje që kjo gjë s’është sqaruar deri më tani”, ka deklaruar presidenti i vendit.

Më herët, Thaçi ka thënë se “kanë ndodhur abuzime të individëve me luftën, me emrin e UÇK’së”.

“Janë lëshuar komunikata nga banhofa për ta përçarë UÇK’në, njerëzit e UÇK’së”, është shprehur ai.

Kjo është bërë, sipas Thaçit, “për të krijuar konfuzion në oppnionin publik, por edhe për të cenuar njerëzit”.