Lajmet dhe komentet rreth martesës së Adelinës me bashkëshortin maqedonas ishin të pafundme, megjithatë ajo ka arritur t’i përballojë të gjitha:

“Nuk është e lehtë, sidomos për një femër shqiptare. Nuk është aspak e lehtë, por një njeri i fortë i përballon të gjitha, sidomos një njeri i lumtur dhe me përkrahje të madhe. Kjo është fakt nga vetvetja: të ma kishte thënë dikush vite më parë, unë kisha vdekur, por jo. Kur je e dashuruar këmbë e kokë dhe ke përkrahje dhe dashuri, përballon çdo gjë, bëhesh shumë e fortë”, – tha këngëtarja për emisionin “Mirage”.

7 ditë ka qenë periudha më e gjatë që Adelina është ndarë me të birin 9 muajsh, por tregon se është shumë e lidhur me të, saqë nuk mund ta përshkruajë me fjalë dashurinë e saj të madhe. Joni ka mësuar tashmë të belbëzojë, të thotë ‘mama’, por edhe të bëjë ca lëvizje të tjera që Adelinën e mahnitin çdo ditë.

Pa dyshim, këngëtarja ka dëshirë që të rikthehet shumë shpejt në muzikë: “Sikur të mos merrem me muzikë, unë nuk do të jem Adelina, por dikush tjetër” – thotë me të qeshur duke zbuluar se së shpejti do të vijë me një projekt shumë të madh: “Nuk dua të flas, por mund të them vetëm që nuk është një këngë, janë shumë këngë….”