Kryeministrja britanike Theresa May thotë se i vjen keq që parlamenti britanik nuk ka qenë në gjendje të ratifikojë deri tani marrëveshjen që do të lejonte daljen e rregullt të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

“Britania e Madhe tashmë duhej të linte BE-në”, vlerësoi May ndërsa erdhi në samitin e liderëve të BE-së.

Ajo pret që takimi i sotëm në Bruksel do të rezultojë në marrjen e një shtyrjeje për një dalje të rregullt të vendit nga BE.

“Qëllimi i këtij samiti është që të bien dakord për një zgjatje që do të na sjellë më shumë kohë për të rënë dakord për një marrëveshje që do të na lejojë të largohemi nga BE në mënyrë të rregullt”, ka thënë May.

Ajo thotë se ka kërkuar shtyrjen e Brexit-it deri më 30 qershor, por ratifikimi i marrëveshjes mund të ndodhë më herët.

“Është e rëndësishme që ne të largohemi nga BE në momentin kur lejojmë ratifikimin e marrëveshjes”, tha May.

Ajo për nesër paralajmëroi bisedime të reja të qeverisë britanike me opozitën për marrëveshjen rreth largimit të vendit nga BE.