Organizata botërore e cila u del në ndihmë fëmijëve në nevojë në mbarë botën, UNICEF me filialin e saj në Kosovë, ka mbajtur në Amfiteatrin e Biblitokës së Universitetit të Prishtinës një ngjarje të titulluar “Activate Talks”.

Ngjarja e cila nisi me prezantimin e programeve të UNICEF-it, së cilit i janë bashkuar shumë adoleshentë, pati shumë të ftuar specialë.

Ndër të pranishmet ishte edhe vet këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila prej dy ditësh po qëndron në vendlindjen e saj, duke u marrë me disa aktivitete humanitare të organizuara së bashku me UNICEF.

Katër të rinj prezantuan kauzat që UNICEF-it, duke treguar ndër të tjerash edhe histori nga jeta personale, duke treguar se si dikur ishin të paragjykuar nga shoqëria, por që mesazhi ishte i qartë – të mos dorëzoheshe kurrë.

Me një mirëpritje madhështore dhe duartrokitje të shumta, Rita Ora arriti e buzëqeshur në sallën e mbushur plot të rinj dhe aktivistë te UNICEF-it.

Ajo tha që dy ditët e fundit që kaloi në Kosovë, ishin të mbushura me aktivitete në ndihmë të komunitetit tonë.

“Faleminderit shumë të gjithëve, jam Rita, jam shumë e lumtur që jam këtu. Unë kam qëndruar këtu në Kosovë prej dy ditësh, ne bëmë një udhëtim të pabesueshëm me UNICEF-in gjatë këtyre dy ditëve të shkuara”, ka thënë Rita Ora.

“Me të vërtetë po mundohem që ta ndihmoj rininë kosovare. Jam e mrekulluar me punën që po bëjnë të rinjtë dhe jam krenare se jam pjesë e këtij kombi. Me të vërtetë jam e lumtur që kam takuar shumë heronj të ri. Faleminderit që më keni pritur”, ka thënë më tej Rita Ora.