Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lideri i PDK-së, Kadri Veseli përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë sot në Ditën e Evropës se BE-ja duhet t’u përmbahet obligimeve dhe premtimeve të veta për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës pasi vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

“Kosova ka vetëm një vizion dhe ndjek vetëm një rrugë: Integrimin në botën perëndimore. Kjo është një e drejtë historike e popullit tonë, që jo vetëm gjeografikisht, por edhe në vlera dhe identitet i përket kësaj bote. Kosova beson dhe punon në këtë drejtim. As sfidat që sot kemi, e as hezitimet e institucioneve të BE-së, nuk do të mund të na ndalin në të drejtën tonë legjitime. Kosova ka përmbushur detyrat e saj për liberalizimin e vizave. BE duhet t’u përmbahet obligimeve dhe premtimeve të veta. Izolimi i padrejtë i qytetarëve të Kosovës nga liria e lëvizjes në BE, sot në Ditën e Europës është një njollë për BE-në”, ka shkruar Kadri Veseli.