E shtunë, 01 gusht 2026
Ukrina-dron21

Dronët ukrainas fundosin anijet ruse dhe godasin rafineritë në Detin e Zi

Dy dronë ukrainas goditën dhe fundosën një anije civile që i përkiste kompanisë shtetërore ruse të energjisë bërthamore ‘Rosatom’ gjatë natës në Detin e Zi, tha të shtunën kreu i kompanisë, Alexei Likhachev.

Të 17 anëtarët e ekuipazhit i mbijetuan sulmit ndaj anijes, e cila transportonte mallra, përfshirë ushqime të ngrira dhe materiale ndërtimi, tha Likhachev.

“Një sulm i tillë mund të karakterizohet vetëm si pirateri dhe grabitje detare”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një postim në rrjetin X, se Ukraina kishte goditur infrastrukturën e tre rafinerive ruse në rajonin e Bashkortostanit, rreth 1,600 kilometra nga kufiri.

Kurse në platformën e mesazheve Telegram ai deklaroi se forcat e armatosura të Ukrainës kishin fundosur gjithashtu një anije tregtare ruse që i ishte nënshtruar sanksioneve.

Anija Yanina, e cila valëviste flamurin rus dhe kishte një kapacitet mbajtës prej 100,000 tonësh, u godit gjithashtu.

Në të njëjtën kohë, ai tha se ukrainasit goditën objektiva të tjera si në Detin e Zi ashtu edhe në Detin Azov.

“Objektivat tona janë infrastruktura specifike që mbështet përpjekjet e luftës”, tha Zelensky.