
Asoc.Phd: Enida N. Bozheku
Kështjella jakobine në Francë, e blerë nga Beqiraj i “AKSHI”-t për vlerën prej 2.6 milionë eurosh (objektivisht kosto e pamundur, minimalisht jemi mes 7 – 12 milion euro), të bën të mendosh se dikush më lart e më shumë është përfituesi fundor i saj.
Pse ky mendim?
Me 2 milionë euro cash në llogari bankare, është e pamundur të mbash, me kosto reale, një ndërtesë që, për shpenzime vjetore, kërkon buxhet nga 300 mijë në 500 mijë euro. Po ashtu, në këtë aktivitet “poliagjenturor”, me të cilin është mbështjellë figura e këtij punonjësi, dikur të thjeshtë IT, dyshimi analitik bie mbi kokat e vërteta, për të cilët është blerë kjo kështjellë, plotësuese e manisë megalomanike.
Në një këndvështrim ndryshe, paratë që janë përvetësuar nga buxheti, përmes AKSHI-t dhe “specialistëve”, diku duhet edhe të investoheshin jashtë Shqipërisë për të garantuar të ardhmen. Me kostot e administrimit të kështjellës, vetëm një burim i pashtershëm dhe i vazhdueshëm të ardhurash mund të justifikonte blerjen e saj, dhe kjo nuk mund të bëhej nga një ekzekutor i thjeshtë urdhrash tenderues.
Në këtë vazhdim është edhe Alabari, për të cilin u sakrifikua një pjesë e portit më të rëndësishëm të vendit, i cili tha: “Gabova me Shqipërinë. Veprova shumë shpejt.”
Në fakt, gaboi shteti ynë, që ngre dyshime se përfitoi vetë përqindje të majme në kurriz të një skeme mashtrimi financiar me përmasa të rëndësishme dhe me pasoja për viktimat e veta. Alabari nuk gaboi; thjesht “modus operandi” i tij është ai i një mjeshtri investimesh “blow-up”, që, në vende të korruptuara, ofron skemën perfekte për të bërë para.
AKSHI dhe Alabari janë dy gropa të zeza: njëra e buxhetit tonë, tjetra e mijëra qytetarëve dhe e popullit, të cilit iu hoq një pjesë e portit dhe investuan në ajër. Sa kaq të ndihmuara dhe të arkitektuara në zyrat e pushtetit lakmitar, grykës dhe nihilues të vetë atdhedashurisë.
Sa për djegien e teserave të PS-së, ai është akt heroik, në një vend ku burrnia është vënë në rrezik nga hajnia.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.