E hënë, 03 gusht 2026
formohet12

Formohet Bashkësia Katolike Shqiptare e Isniqit

Deklaratë Historike

Dje, në tubimin me rëndësi të veçantë shoqërore e kombëtare që u mbajt në Kishën e Papiqit në komunën e Deçanit, u shënua një hap i ri në jetën publike e shpirtërore të rajonit. Aktivisti i njohur i çështjes kombëtare, Bekë Osmanaj, lexoi deklaratën zyrtare me të cilën një pjesë e banorëve të Isniqit formuan Bashkësinë Katolike Shqiptare të Isniqit.

Kjo ngjarje konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme, pasi shënon një nga rastet e para ku qytetarët shprehin hapur vullnetin e tyre për deklarimin e besimit fetar dhe organizimin institucional të bashkësisë së tyre religjioze.

Gjatë fjalës së tij, z. Osmanaj nënvizoi frymën e bashkimit dhe harmonisë kombëtare, duke e përmbyllur mesazhin e tij me fjalët: “Zoti e bekoftë Isniqin, zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë kombin shqiptar!”

Të nderuar bashkëfshatarë, familjarë, mërgimtarë dhe miq të Isniqit,

Me ndjenjë të thellë respekti ndaj Zotit, trashëgimisë sonë shpirtërore, historike dhe kombëtare, ju drejtojmë këtë tubim për të marrë pjesë në takimin e përbashkët kushtuar nismës për kthimin tonë në Kishen Katolike.

Kjo nismë është fryt i dashurisë për vendlindjen dhe i përgjegjësisë sonë ndaj brezave që na paraprinë dhe atyre që do të vijnë pas nesh. Ky veprim synon të ruajë dhe të forcojë besimin, traditën, kulturën dhe identitetin tonë, duke krijuar një vatër ku do të kultivohen vlerat që na kanë mbajtur të bashkuar ndër shekuj.

Në këtë rrugëtim përulemi me nderim para kujtimit të të parëve tanë, të cilët me besim, sakrificë dhe qëndresë mbrojtën dinjitetin e familjes, të fesë dhe të kombit. Me respekt të veçantë kujtojmë Nikë Lekën, Prekë Lekën dhe Canë Lekën, bijtë e Lekë Vukaj, të cilët i konsiderojmë ndër gurthemelet e kujtesës sonë shpirtërore dhe familjare.

Emrat dhe vepra e tyre do të mbeten përhershëm pjesë e historisë sonë dhe shembull frymëzimi për brezat që vijnë.

Ne, si pasardhës të tyre, kemi detyrimin ta ruajmë këtë trashëgimi me besnikëri, duke ua përcjellë fëmijëve tanë dashurinë për Zotin, për familjen, për kombin dhe për Isniqin me rrethinë. Po aq e shenjtë sa kujtesa për të parët është edhe bashkimi ynë. Historia na ka mësuar se forca jonë ka qenë gjithmonë uniteti i njerëzve të tij. Prandaj, sot më shumë se kurrë, dëshirojmë ta ritheksojmë se ishim, jemi dhe do të mbetemi vëllezër isniqas. Mund të jetojmë në vende të ndryshme, të besojmë në fe të ndryshme dhe të kemi rrugë e përvoja të ndryshme, por na bashkon një prejardhje, një histori, një kulturë dhe një vendlindje.

Këto janë vlerat tona që nuk na ndajnë, por na bëjnë edhe më të fortë si komunitet dhe si bij të Isniqit me rrethinë.

Themelimi I bashkësisë katolike në këtë vend nuk është vetëm ngritja e një institucioni fetar, por është një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj besimit, trashëgimisë dhe bashkimit të komunitetit. Është një vepër që kërkon mirëkuptimin, mbështetjen dhe pjesëmarrjen e secilit prej nesh, sepse vetëm të bashkuar mund të ndërtojmë diçka që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm.

Bekë Osmanaj, ish-ushtar i UÇK-së