
Përparim Rama
Të dashur qytetarë,
Tash e sa kohë, përmes një fushate të orkestruar politike, janë përpjekur të më intimidojnë dhe të më diskreditojnë. Por, ditët e fundit shënuan kulmin e kësaj fushate të ulët, ku në shënjestër nuk jam më vetëm unë, por edhe bashkëpunëtorët e mi dhe bashkëshortja ime.
Kur një betejë politike zbret në shpifje, fyerje dhe denigrim të familjarëve e njerëzve që nuk janë pjesë e përplasjes politike, nuk kemi më debat demokratik dhe as llogaridhënie. Kemi një përpjekje të vetëdijshme për të frikësuar për të ushtruar presion dhe për të goditur përmes njerëzve më të afërt.
Kam vlerësuar faktin që çdo pretendim për interes publik t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë. Kjo është rruga e vetme në një shtet demokratik. Por mos e fshihni denigrimin, gjuhën e urrejtjes dhe linçimin prapa pretendimit për interes publik!
Po të ishte vërtet ky qëllimi, njerëzit që nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet e ngritura nuk do të ishin bërë pjesë e një sulmi kaq të ulët dhe kaq të neveritshëm.
Përfshirja e tyre nuk është llogaridhënie. Nuk është interes publik. Është kalim i çdo kufiri njerëzor, moral dhe institucional.
Edhe më shqetësues është fakti se kjo përmbajtje u përdor si instrument politik në Asamblenë e Kryeqytetit. Ky është treguesi më i qartë i degradimit të debatit publik dhe i standardit politik që disa kanë zgjedhur të përfaqësojnë.
Ju siguroj se ky rast do të trajtohet deri në instancat më të larta të drejtësisë. Jo vetëm për të mbrojtur të vërtetën, por edhe dinjitetin e njerëzve që u linçuan publikisht dhe padrejtësisht pa pasur asnjë lidhje me pretendimet e ngritura.
Kushdo që ka marrë pjesë në orkestrimin, nxitjen apo përhapjen e kësaj fushate linçuese e denigruese do të identifikohet dhe do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë.
Shteti ligjor nuk mund të lejojë që linçimi dhe denigrimi të përdoren si instrumente të veprimit politik. Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore!
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.