E mërkurë, 05 gusht 2026
enver-hoxha3

Zbulohet dokumenti! Raportet sekrete të CIA-s për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri

KASTRIOT KOTONI

Irakli Koçollari në këtë kapitull të librit “OPERACIONET SEKRETE SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”, me të të drejtë shtron pyetjen: pse u zgjodh Shqipëria në këtë lojë të madhe agjenturore. Shumë autorë të huaj nuk e kanë trajtuar me këtë këndvështrim këtë temë. I. Koçollari mendon se janë shkaqe të tjera specifike që e shtynë CIA-n dhe MI6 që të zhvillonin këtë operacion, si një nga shkaqet ai mendon se, mund të ketë qënë pozicioni gjeografik i Shqipërisë. Ja, se si e shtron ai në këtë paragraf të librit në vijim: Pyetja e parë e çdo lexuesi apo kureshtari të zakonshëm, do të ishte: Përse vallë SHBA dhe Shërbimi i saj Sekret i Zbulimit do të ndërmerrnin një operacion të tillë kaq kompleks, specifik, të parin dhe unikun në llojin e tij, në tërë historinë e Luftës së Ftohtë, kundër një vendi kaq të vogël, potencialisht dhe ushtarakisht të papërfillshëm e të parrezikshëm, përballë një fuqie të përbotshme politike, ekonomike, ushtarake e propagandistike, sikurse ishte Amerika?! Sigurisht, asgjë nuk ndodh rastësisht! Ndodh jo rrallë, që për të justifikuar pafuqinë apo mundësinë për të zbuluar të panjohurat e ngjarjeve që na shoqërojnë në këtë jetë, të përdorim togfjalëshin “Kështu ishte shkruar” apo “Kështu e deshi Zoti”, sepse shkaku i vërtetë ose ka qenë fshehur me kujdes, ose ne nuk kemi qenë të zotët ta gjejmë atë. Përse vallë Shqipëria?! Kjo pyetje kishte mbetur mes dilemave të asaj kohe, edhe në vitet dhe dekadat që do të vinin më pas. Kishte dhe nuk përjashtohet të ketë ende syresh, që nuk besonin të kishte ndodhur një gjë e tillë. Për më tepër, mjaft “kurajozë të ditur” i patën konsideruar këto operacione si pjellë të fantazisë dhe të sindromës së diktaturës dhe diktatorëve.

Shumë pak dinin që Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe zgjodhën pikërisht Shqipërinë për një sërë arsyesh dhe interesash madhore, politike dhe strategjike, ushtarake dhe gjeostrategjike. E thënë shkurt dhe në mënyrë të përmbledhur, analistët dhe specialistët e shërbimit sekret amerikan, por edhe ata britanikë, ndër të tjera kishin renditur argumentet se: Shqipëria ishte vendi më i varfër ekonomikisht në rajon dhe në radhët e vendeve socialiste në tërësi, çka e bënte të paqëndrueshme dhe delikate qeverinë e atij vendi, për pasojë lehtësisht të mundshëm stimulimin e krizave për rrëzimin e qeverisë komuniste të Tiranës; Demografikisht dhe ushtarakisht vlerësohej se ky vend ishte më i dobëti përballë një ndërhyrjeje të mundshme; Shqipëria ishte i vetmi vend në radhët e shteteve të kampit socialist, i shkëputur dhe i izoluar gjeografikisht nga vendet e tjera të bllokut sovjetik; Në vlerësimin e qendrave politike dhe atyre sekrete perëndimore, Shqipëria konsiderohej më e dobëta dhe më pak armiqësorja ndaj perëndimit; Terreni i këtij vendi u konsiderua si një fushë e përshtatshme e betejës sekrete mes Perëndimit dhe Lindjes dhe një pikë zjarri e përballjes së tyre, për të rimarrë në dorë iniciativën e Luftës së Ftohtë, që porsa kishte shpërthyer, në vitin 1948; Vlerësohej gjithashtu se një sukses i mundshëm mbi këtë hallkë, më e dobëta e zinxhirit të vendeve të këtij kampi, do të mund të zhdërvillonte në radhë edhe hallkat e tjera të këtij zinxhiri; Pozicioni i saj gjeografik konsiderohej me një interes të veçantë gjeostrategjik në Ballkan dhe në Europë; Për shkak të zhvillimeve politike mjaft delicate dhe të nxehta që kishin ndodhur dhe ishin duke ndodhur në dy vendet fqinje me të, në Greqi dhe në Jugosllavi, Shqipëria duhej neutralizuar si një bazë tensionesh në shpinën e këtyre dy vendeve.

NJË NOFKË E ÇUDITSHME PËR PLANIN “BGFIEND” – “DJALLI” Plani për Shqipërinë, në tërë veprimtarinë e tij të mëtejme dhe në dokumentacionin që do të prodhohej për të, do të thërritej ndryshe “Bgfiend” apo “Djalli”. Po përse ky emër?! Askush gjer më sot nuk na e sqaron dot, kush i vuri këtë nofkë kodimi dhe pse pikërisht kështu!? Por nuk duhet vrarë mendja shumë dhe as duhet menduar se pas asaj emërtese qëndronte një analizë e thellë mistike, konspirative, që nënkuptonte këtë apo atë mesazh apo sinjal. Nganjëherë një fjalë e lëshuar, qoftë edhe rastësisht, ngjit dhe mbetet mbi faqet e dosjeve sekrete duke e shoqëruar atë, personazhet e saj, jo vetëm në vitet kur operacioni merr frymë dhe është në proceset aktive të tij, por edhe kur ato mbyllen dhe dosja me nofkën e shkruar mbi të, merr udhën e gjatë të heshtjes nëpër arkiva … e ndoshta edhe në histori. Në regjistrimin dhe evidencat e Shërbimit të Zbulimit amerikan, CIA-s, ai Plan mban numrin e protokollit 66843 dhe ndahet në pesë kapituj. Hartimi i plotë i tij ka përfunduar më 15 Qershor 1949 dhe mbasi është firmosur nga drejtori i CIA-s, është çuar për miratim autoritetit epror. Më datë 22 të po këtij muaji të vitit 1949, kanë marrë dijeni dhe nga një kopje të tij Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Mandej, ai është përcjellë për rrugëtimin e tij drejt aventurës së gjatë, për t’u realizuar nga struktura e specializuar për operacione delicate e të përgjakshme, herë të sukessshme dhe herë tragjike. Këtë gjë do ta realizonte Agjencia Qendrore e Zbulimit Amerikan (CIA), si një krah i maskuar i politikës amerikane dhe i interesave të saj në mbarë botën.

Ky dokument ka një vlerë të veçantë, unike, historike, studimore dhe utilitare për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të shkuarën, por edhe të ardhmen e tyre. Veç të tjerave, ky Plan dhe dokumentat që do të shoqëronin implementimin e tij, parashtronte në mënyrë të natyrshme nevojën për të riparë dhe vlerësuar edhe një herë saktësisht shkaqet e shumë zhvillimeve politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe agjenturore që kishin ndodhur në këtë vend të vogël ballkanik, rreth tij, apo në marrëdhënie me të, në mesin e shekullit të XX-të dhe më pas. Shqyrtimi i vëmendshëm i këtij dokumentacioni diktohet edhe nga nevoja për të zbuluar shkaqet e vërteta të mjaft ngjarjeve që ndodhën ato dekada, të cilat jo rrallë, pas viteve ’90, janë kontestuar, apo më shumë akoma, janë anatemuar dhe vënë në pikëpyetje të vërtetat e mjaft ndodhive, deri edhe ekzistenca e tyre. Vetëm duke i risjellë ato të vërteta përmes pohimeve dhe dëshmive dokumentare të aktorëve që i interpretuan ato ngjarje, mund të shqyrtohen me korrektësi dhe të vlerësohen qëndrimet politike, diplomatike, ushtarake apo ekonomike të ndërmarra ato vite nga Shqipëria. Ato lëvizje të ndërmarra ishin reagim apo kundër-reagim, ishin të nevojshme apo të detyruara?!

Vendimet e marra për rreshtime apo përjashtime nga alenca, u imponuan apo u ndikuan në rrethana të krijuara rishtazi?! Cili ishte roli që luajtën dhe cilat ishin pasojat që sollën këto operacione agjenturore, të gjera dhe violente, kërcënuese dhe psikologjike? Cilat ishin plagët, implikimet dhe pasojat humane, apo edhe politike, që ato lanë në fatet e popullit, të lidershipit të kohës dhe të individëve? Cilat ishin destinacionet normale dhe devijimet që pësuan rrjedha të caktuara politike, destinacionet normale dhe anormale të proceseve të njohura dhe të panjohura të zhvillimit të vendit? Cilat ishin fatet e mbetur mes dilemave të figurave ekzistenciale në historinë e vendit, të pranuara apo të papranuara si të tilla, ato që gjer tashmë janë parë vetëm nga një këndvështrim, për shkak të mundësive të kufizuara të njohjeve dhe informacionit? Brumi informativ që sjellin kapitujt e shumtë të dokumenteve dhe dosjeve që u hartuan mbi orientimet e këtij Plani qendror, do të duhet të shqyrtohet me vëmendje dhe kujdes edhe vite më vonë, nga gjenerata studiuesish të tjerë, pasi ato janë të shumta dhe lanë gjurmë e pasoja shumëplanëshe, të dukshme, por edhe të padukshme, në koshiencën, moralin, psikologjinë, gjykimet apo paragjykimet e opinionit të thjeshtë shqiptar, ndoshta dhe më gjerë. Shumë ngjarje, që rrodhën si pasojë e misioneve sekrete të këtij Plani, ndikuan jo vetëm në fatet e qytetarëve të thjeshtë, por deri në vendimet që mori lidershipi shqiptar për aleanca, lëvizje, tërheqje, kufizime, izolime, masa të ashpra dhe vetëizolime politike, diplomatike, sociale, ekonomike për shumë vite dhe dekada të tëra, në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të.

Përmes tyre, opinioni do të arrijë të mësojë qëndrimet, vendimet dhe synimet e vërteta të fqinjëve ndaj Shqipërisë, aktet e tyre publike dhe ato jo publike, të pashpallura dhe të fshehura pas fasadave të rreme, kërkesat dhe pretendimet legale, por edhe planet dhe projektet e fshehta ilegale, cinike dhe gjer agresive e të përgjithshme, që ata imponuan. Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë krejt të panjohura deri tani nga ne shqiptarët, por dhe nga opinionet europiane. Të shkruara tashmë “e zeza mbi të bardhë”, ato do të ndriçojnë mjaft kulisa të kurdisura nga fqinjet, skenarë dhe projekte, plane, misione sekrete, operacione që kishin përcjellë egërsi, cinizëm, përbuzje dhe brutalitet ndaj Shqipërisë së vogël dhe shqiptarëve. Këta fqinjë, këto qarqet të caktuara politike brenda tyre, mbas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX, documentohet qartë se kanë planifikuar dhe vepruar intesivisht për copëtimin apo ndarjen definitive të trojeve të Shqipërisë.

Megjithatë, ky vend i rrënuar keq mbas luftës, i dobët e ndoshta më i varfri në Europë, sakrifikoi ekstremisht për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të tij. Për të kuptuar gjithë zhvillimet e skenave dhe prapaskenave që patën sjellë pasoja të dhimbshme, traumatike, të frikshme e të përgjakshme, që zgjatën për rreth një dekadë, në tërë dimensionin territorial të Shqipërisë, në rrafshin human, në planin politik, diplomatik, ekonomik, propagandistik dhe mbi të gjitha agjenturor, duhen parë fillimisht disa prej kapitujve të këtij operacioni kaq unik të Inteligjencës amerikane të Zbulimit – CIA-s, i cili do të shërbente për to si “bibël”, në tërë lëvizjet e tyre për realizimin e misionit konspirativ në Shqipëri, për shumë vite, madje gjer në përfundim të “tik-tak-eve”, që do të njoftonin regjimet e fundit të zemberekut të atij mekanizmi, që thirrej “Luftë e Heshtur”. Ai është i pari Plan i këtij lloji në historinë e Luftës së Ftohtë, i hartuar nga CIA, me synim përmbysjen e një regjimi në një vend të largët gjeografikisht, por që një kompleks i tërë interesash e diktonin këtë ndërmarrje. Sigurisht, veprimet dhe misionet e tij drejtoheshin ndaj një vendi dhe qeverie legjitime, ndaj sovranitetit të tij, prandaj tërë aksionet që do të ndërmerreshin nga strukturat e këtij institucioni.

/Gazeta Panorama