E hënë, 17 gusht 2026
Shemsedin-Dreshaj

Mendësia e shekullit të kaluar dhe evolucioni në shekullin e ri!

Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj

Pjesa 1

Ne, bijtë e shekullit të kaluar, që Kosovën e bëmë shtet, jetonim në një kohë tjetër dhe me parime të tjera; kohë kur nuk kishim nevojë të sillnim dëshmitarë dhe plot letra për të dëshmuar premtimin tonë. Dhënia e fjalës ishte e shenjtë. Kur dikush të jepte dorën dhe fjalën, kjo ishte punë e kryer, edhe nëse i kushtonte me gjithçka që kishte.

Dikur ishin tri qëndrime të shenjta që e mbanin shoqërinë të integruar: fytyra, nderi dhe marrja.

Fytyra mbrohej si pasuria më e madhe. Njerëzit më mirë ishin të varfër dhe të uritur, sesa të lejonin që dikush t’u bënte me gisht. Nderi ishte themeli i çdo njeriu të ndershëm. Marrja ishte një alarm i brendshëm që nuk të lejonte të mashtroje, të vidhje ose t’ia ktheje shpinën mikut. Njerëzit i frikësoheshin marrjes më shumë se ligjit.

Sot, shihni se çfarë na ka gjetur. Sot, kur i kemi larguar këto tri qëndrime të shenjta, shoqëria po shkatërrohet. Çdo gjë është në shitje. Fytyra shitet për pak para ose për ndonjë pozitë. Nderi sot është bërë për hajgare, ndërsa të ndershmit identifikohen si njerëz arkaikë, të paditur ose budallenj.

E marrja, pothuajse plotësisht, ka avulluar. Sot krenohen me ide të këqija dhe madje me to mburren. Sa më i keq të jesh, aq më i popullarizuar je; sa më shumë njerëz të shkatërrosh, aq më shumë të rrahin krahët.

Kemi krijuar një shoqëri ku i mençuri hesht, i padituri është i zëshëm, fukarai flet dhe mendon se di çdo gjë, ndërsa fytyra është bërë si plastelinë, e cila zgjerohet sipas nevojës.

Humbja e këtyre tri parimeve e ka sjellë këtë shoqëri në këtë nivel, ku kriteret morale dhe normale janë përmbysur — jo rrëzuar —, ku marre më nuk ka, pabesia është bërë dukuri normale, ndërsa fytyra është bërë plastelinë.

Kjo është zanafilla e krizës së sotme të Kosovës! / Vijon