E diel, 23 gusht 2026
enver-hoxha1krimi

“Materiali i zi” që tronditi ushtrinë, truku i Enver Hoxhës për goditjen e “grupit puçist”

Njëri nga drejtuesit e lartë ushtarakë, gjeneral lejtënant Rrahman Parllaku – Nderi i Kombit (ish zvëvendës ministër i Mbrojtjes dhe zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), që u dënua dhe vuajti 17 vite në burgun famëkeq të Burrelit, (ndërkohë që Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako u pushkatuan) pas ’90-tës, u bë iniciues i zbardhjes të së vërtetës në Gjykatën më të lartë të kohës. Ai lë si tesmanet falsitetin e gjyqit politik dhe mungesën e provave të fajësisë së këtyre gjeneralëve, të vërtetuar me Vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Republikës së Shqipërisë Nr.119 datë 20.07.1994 që shpall pafajësi dhe hedh poshtë akuzat edhe të Kodit të atëhershëm Penal. 

HALIL RAMA dhe SAKIP CAMI

Në fillim të vitit 1971, Këshilli I Mbrojtjes aprovoi projektin për riorganizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, paraqitur nga grupi i punës.

Në strukturën e aprovuar u hoqën nga vartësia e Ministrit të Mbrojtjes të gjitha drejtoritë e shërbimeve e llojeve të armëve. Në vartësi direkte të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm kaluan Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, Komanda e Flotës Luftarake–Detare, Komanda e Artilerisë, e Tankeve dhe drejtoritë, e xhenios, e përgatitjes luftarake, e teknikës dhe e autotraktorëve.

Në vartësi direkte të ministrit mbeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që tashmë ishte drejtori kryesor i ushtrisë dhe Drejtoria e Prapavijave të Ushtrisë.

Për të ndihmuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm në organikë u emëruan dy zv/ ministra. Njëri ishte Rrahman Parllaku, që do të kishte në vartësi Drejtorinë Operative, të zbulimit, të organizim– mobilizimit, të ndërlidhjes, të kimisë, si edhe degën e topografisë e të shërbimeve, kurse zëvendësi i dytë do të ishte Mendu Backa, i cili do të kishte në vartësi Drejtorinë e Xhenios, të fortifikimit xhenier, atë teknike, industrinë ushtarake, si dhe të autotraktorëve.

Motivimi i largimit të Ministrit të Mbrojtjes nga drejtimi direkt i komandave dhe drejtorive të armëve u bë gjoja me arsyen se ai ishte shumë i ngarkuar me detyra të larta partie dhe për arsye shëndetësore, por kjo nuk ishte e besueshme për ushtarakët, që e dinin se marrëdhëniet e Shehut me Ballukun nuk ishin të mira. Kështu, duke mos e larguar dot përfundimisht nga detyra, drejtimi efektiv i ushtrisë po i besohej P. Dumes, si një person më i përshtatshëm për të.

Edhe në kushte pune shumë të vështira për ushtrinë, kuadri ofi cer po përpiqej me mish e me shpirt për të inkuadruar efektivin që kryente shërbimin aktiv me atë rezervist dhe po bëheshin përpjekje maksimale për të shfrytëzuar kohën në kryerjen e stërvitjeve të gatishmërisë luftarake. Njëkohësisht, punohej ditë e natë për sistemimin e efektivit në vend–dislokimet e reja, nëpër pikat e hapjes.

Puna këmbëngulëse e efektivit oficer çoi në arritjen e disa rezultateve në përgatitjen luftarake të vitit 1970–1971, të cilat u paraqitën si suksese të riorganizimit të udhëheqjes së Ministrisë së Mbrojtjes.

PLENIUMI I XII-TË I KQPPSH

Në korrik të vitit 1971 u bë mbledhja e Plenumit të XII-të të Komitetit Qendror të Partisë të Punës së Shqipërisë, që do të analizonte gjendjen në ushtri. Para pleniumit, Aparati i Komitetit Qendror, në bashkëpunim me Drejtorinë Politike të Ushtrisë bënë kontrolle mbi zbatimin e reformave në ushtri, në disa njësi e reparte. Siç pritej, konkluzionet ishin pozitive dhe mbi to u bazua raporti i Byrosë Politike që iu paraqit mbledhjes së Pleniumit.

Në mbledhjen e Pleniumit të XII–të , raportin në emër të Byrosë Politike e mbajti Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes. Në raport analizoheshin arritjet e mungesat e konstatuara gjatë zbatimit të reformave në ushtri.

Në diskutime, siç ndodhte rëndom në atë sistem, mbizotëroi fryma optimiste për arritjet dhe perspektivat e zhvillimit të ushtrisë. Edhe diskutantët e ftuar nga rrethet ku ishin të dislokuara repartet ushtarake folën mirë, veçanërisht për marrëdhëniet e krijuara mes tyre, për sjelljen shembullore të ushtarakëve me popullsinë dhe ndihma që po u jepnin reparteve ushtarake organet e pushtetit vendor, që të sistemoheshin sa më mirë në vendqëndrimet e reja, duke iu krijuar kushte sa më të mira jetese dhe stërvitjeje.

Në mbledhjen e pleniumit u krijua një atmosferë euforike suksesesh, që nuk lejonte diskutime me nota kritike, por Rrahman Parllaku përsëri ngriti shqetësimin se shpërndarja e madhe e ushtrisë dhe detyrat e shumta jashtë programeve stërvitore po dëmtonin jo vetëm përgatitjen luftarake, por edhe rregullin, disiplinën në ushtri dhe gatishmërinë luftarake.

Konkluzionet e E. Hoxhës në fund të pleniumit ishin shumë pozitive për gjendjen në ushtri. Ai lavdëroi Beqir Ballukun për aftësitë e tij ushtarako – drejtuese, kur faktikisht para pak kohësh e kishte mënjanuar nga drejtimi i ushtrisë dhe përsëriti kërkesën që tani që i kishin studiuar projekt – tezat e Këshillit të Mbrojtjes, të bënin propozimet për korrigjime, plotësime e ndryshime para se projekt–tezat të ktheheshin në teza.

Nuk ishte çudi, pasi këto ishin truket e Enverit, që kërkonte të kishte pushtet absolut, pa pyetur për zërin ekspert. Deri dje kishte lavdëruar Mehmetin për hartimin e shkëlqyer të projekt –tezave, tani lavdëronte Beqirin për suksese në ushtri dhe kërkonte nga ushtria ndryshime të projekt–tezave, për t’i aprovuar si teza në Këshillin e Mbrojtjes.

Plani i E. Hoxhës funksionoi, pasi kuadrot ushtarake besuan se zëri i tyre do të dëgjohej dhe punët do të shkonin për së mbari.

Dy ditë pas përfundimit të pleniumit, B. Balluku mblodhi komandantët e drejtorët. Parllaku në ato kohë kurohej për arsye shëndetësore. Ministri B. Balluku kishte dhënë urdhër të dorëzoheshin sa më parë vërejtjet e propozimet e tyre për projekt-tezat. Gjithashtu, duke mënjanuar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe Institutin e Studimeve Ushtarake, krijoi një grup pune që do ta drejtonte vetë.

Në krye të grupit caktoi Zv/Drejtorin e Institutit të Studimeve Ushtarake, Gjeneral Spiro Shalsin. Grupi përbëhej nga Zv/Drejtori i Zbulimit, Agron Çomo, nga Zv/Drejtori i Organizim–Mobilizimit, Hysen Burba, nga Ilo Furxhi, etj.

Duke shfrytëzuar pushimin e verës, u nis bashkë me grupin në qytetin e Pogradecit, ku të vendosur në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve, punuan mbi projekt-tezat.

Me mbarimin e materialit, para se t’ua shpërndante drejtorive të llojeve të armëve e të shërbimeve në ministri, B. Balluku ua dha P. Dumes, H. Çakos dhe Rr. Parllakut, për t’i parë dhe për të dhënë mendimet e tyre.

Të tre, pasi u njohën gjerësisht me materialin, shkuan në takim te ministri me vërejtjet dhe me konkluzionin se materiali nuk duhej t’iu shpërndahej kuadrove kryesore të ushtrisë, pasi nuk i shërbente korrigjimit dhe plotësimit të projekttezave për të bërë aprovimin e tyre e për t’i kthyer në teza, sipas porosisë së Komandantit të Përgjithshëm.

Ministrit, sigurisht që nuk i erdhi mirë, por ra dakord me kuadrot e larta ushtarake dhe materiali nuk u shpërnda. Ai kërkoi që vërejtjet t’i bënin me shkrim dhe Parllaku me Çakon ia dorëzuan, kurse P. Dumja, sipas tij, nuk pranoi të dorëzonte vërejtje me shkrim për një material që nuk kishte vlerë.

DOBËSIMI I ROLIT TË MINISTRIT TË MBROJTJES

Duhet theksuar se P. Dume, Shef i Shtabit të Përgjithshëm, megjithë porositë e Komandantit të Përgjithshëm për korrigjime dhe megjithëse kishte vërejtje mbi projekt-tezat, asnjëherë nuk u shpreh hapur mbi to, sepse siç duket ndikonte fakti se autori i projekt-tezave ishte kryeministri i vendit.

Gjatë kësaj kohe, në drejtimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes vihej re një sjellje e hapur pavarësie e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, që u jepte urdhëra njësive e reparteve pa u konsultuar as me Ministrin e Mbrojtjes, as me zëvendë sat e tij që zbatonin urdhërat dhe as me komandantët e drejtorët e llojeve të armëve që tashmë i kishte në vartësi direkte.

Vështirësia e zbatimit të urdhërave ishte se ato duheshin siguruar materialisht, pasi kishin të bënin me ndërtime e fortifi kime xheniere. Kjo sillte shumë probleme, pasi nuk mund të kërkoje nga komandat e drejtoritë e llojeve të armëve zbatimin e urdhërave, pa siguruar më parë mjetet materiale e financiare për zbatimin e tyre.

Planet e aprovuara më parë nuk kishe të drejtë ndryshimi, prandaj Parllaku, Backa, së bashku me komandantët e drejtorët e ministrisë i kishin ngritur disa herë këto probleme në mbledhjet me ministrin, me Shefin e Shtabit dhe në mbledhjet e Kolegjiumit të Ministrisë, por asgjë nuk po ndryshonte. Situata po rëndohej më shumë dhe ushtria vazhdonte shpërndarjen e saj në më shumë pika hapjeje në të gjithë vendin. Në situatën e krijuar ndikonte shumë keq pavendosmëria e ministrit për të frenuar urdhërat e pastudiuara mirë e jashtë planeve që kishin aprovuar, të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por ministry Balluku e dinte mbështetjen që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kishte nga Kryeministri i vendit.

PËRPLASJA SHEHU-BALLUKU

Koha po kalonte dhe materiali për projekt-tezat nuk po përgatitej. Ministri Beqir Balluku ishte i shqetësuar, pasi nuk po zbatohej porosia e Komandantit të Përgjithshëm, prandaj kërkoi nga Parllaku të lejonte dy vartësit e tij të Drejtorisë Operative, Vehbi Hoxhën dhe Ernest Jakovën të merreshin me ripunimin e materialit. Sigurisht kërkesa u zbatua.

Me përfundimin e materialit përsëri ua dhanë për rishikim P. Dumes, Hito Çakos dhe Rrahman Parllakut. Pati shumë vërejtje, por për çudi edhe vetë autorët e materialit nuk ishin të kënaqur, pasi puna me korniza e diktime, se çfarë duhet të bësh e si duhet ta punosh, s’mund të jetë asnjëherë punë krijuese. Ndërsa Beqir Balluku preokupohej që po vonohej zbatimi i detyrës së vënë nga Enver Hoxha, Petrit Dume, indiferent, asnjëherë nuk u mor me këtë punë, ndonëse kjo ishte edhe detyrë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Ministri kërkonte zgjidhje të problemit dhe i mblodhi për herë të tretë kuadrot kryesore. Këtë herë të gjithë vendosën që këtë punë ta merrte përsipër Rrahman Parllaku me Ernest Jakovën. Parllaku pranoi duke vënë si kusht largimin nga detyra deri në përfundim të materialit. Pa mbaruar planin dhe tematikën e punës, Rrahmanin e thirrën me urgjencë në zyrë, pasi P. Dumja, si zakonisht, kishte shkuar në reparte dhe Shtabi i Përgjithshëm kishte mbetur pa drejtim. Ernest Jakova e kërkonte pa pushim, por nga problemet e shumta të zyrës, Parllaku nuk mund të lëvizte. Ministri Balluku pranoi të punonte vetë me Ernestin dhe Rrahmani të vazhdonte punën në Shtabin e Përgjithshëm. U krijua përshtypja se dëshironte që materiali të mbante firmën e tij.

DISKUTIMI I TEZAVE

Materiali përfundoi nga fundi i prillit 1973. Me urdhër të ministrit, materiali iu dorëzua për vërejtje e korrigjime kuadrove kryesore të ministrisë dhe njësive. Mendimet mbi materialin u lanë të diskutoheshin në mbledhjen kryesore të radhës, që do të zhvillohej me grupin e Ministrit të Mbrojtjes, në Durrës, në ditët në vijim.

Me urdhër të Shefit të Shtabit, materiali u shpërnda i shoqëruar nga shkresa me porositë e ministrit.

Mbledhjen mësimore me kuadrot kryesore të ushtrisë e drejtonte Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithsëm të Ushtrisë, Rrahman Parllaku. Ishin vendosur te pishat e Golemit të Kavajës, te Plazhi i Gjeneralit. Në kohën e lirë, gjatë mbrëmjeve, ofi cerët diskutonin shpesh për materialin, bënin vlerësime të ndryshme, kishin vërejtjet e tyre herë pro e herë kundër dhe ngrinin edhe zërin në mbrojtje të mendimeve të tyre.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm vinte mbrëmjeve në kampin e stërvitjes, dëgjonte diskutimet e vërejtjet e ofi cerëve dhe bisedonte me ta.

Në një nga mbrëmjet, ai shkoi në çadrën e Parllakut dhe shprehu shqetësim mbi vërejtjet e dëgjuara, pasi ato shpesh binin ndesh me projekt– tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Parllaku i tha se materiali prandaj ishte përgatitur e shpërndarë për t’u plotësuar me vërejtje e ndryshime. Nga këto diskutime nuk kishte asnjë të keqe, pasi materiali do të korrigjohej plotësisht.

Petrit Dume donte ta anullonte diskutimin e materialit, kurse Parllaku mendonte se duhej të përfundonte odiseja 3- vjeçare e studimit të këtij materiali.

Kuadrot e kishin lexuar dhe prisnin të thoshin mendimin e tyre, prandaj Parllaku i bëri të ditur Petrit Dumes se plani ishte aprovuar nga ministri, se ai, si shef shtabi e kishte fi rmosur, ishte caktuar edhe dita për diskutimin e tij, dhe pa urdhërin e ministrit plani nuk mund të ndryshohej.

Siç doli më vonë, P. Dumja nuk e donte ndryshimin e projekt-tezave pasi ishin përgatitur nga Kryeministri, prandaj edhe nuk dha asnjëherë mendime për to.

Ditën e fundit, pasi bëri vlerësimet e stërvitjes të zhvilluar në Kryevidh të Kavajës, me t’u kthyer në çadër, Parllakun e lajmëruan se e priste ministri Balluku në çadrën e tij. Atje, bashkë me ministrin ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, Drejtori Politik, Hito Çako dhe përfaqësuesi i ushtrisë pranë Komitetit Qendror të Partisë, ndihmës i Hysni Kapos, Dilaver Poçi.

Pasi dëgjoi mendimet e Rrahmanit mbi ecurinë e stërvitjes, ministri tha se mendimi i shokëve ishte të mos bëhej diskutimi i materialit, pasi edhe kohë nuk kishte. Parllaku sugjeroi se do të ishte mirë të dëgjoheshin mendimet e kuadrove në mënyrë që, siç e kishte biseduar edhe me P. Dumen, studimi i këtij materiali të përfundonte një herë e mirë. Atëherë ministri propozoi që mendimet me shkrim të oficerëve të grumbullohen dhe në një kohë të përshtatshme të diskutohen me nge nga komisioni.

U lajmëruan oficerët të mblidheshin në çadrën e punës ku iu komunikua urdhëri i ministrit Balluku. Parllaku, atë mbrëmje, ndenji zgjuar deri vonë duke hedhur me shkrim mendimet e tij mbi materialin. Kështu u mbyll materiali i përgatitur me mendimet e ofi cerëve, bashkëngjitur.

KONFLIKTI BALLUKU-DUME

Në pranverë të vitit 1974, Drejtoria Politike e Ushtrisë bëri një raport për Komitetin Qendror të Partisë, në të cilin raportohej mbi gjendjen moralo– politike të ushtrisë dhe mbi gatishmërinë luftarake të efektivave të saj. Në raport ishte folur edhe për disa probleme të marrëdhënieve në Shtabin e Përgjithshëm dhe midis Ministrit dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por pa sqaruar shkaqet e gjendjes dhe pa hyrë në detaje.

Sipas udhëzimit të Komitetit Qendror të Partisë, çdo raport i Drejtorisë Politike, që bënte fjalë për ushtrinë, duhej cikluar nga të gjithë anëtarët e Komitetit Qendror që ishin në drejtim të ushtrisë. Prandaj edhe Parllaku, pasi e lexoi, bëri ciklimin.

Ndërkaq, Halim Ramohito, Zv.Drejtor Politik, e siguroi se me formulimet e bëra nga Drejtoria Politike në raport nuk do të kishte më pakënaqësira.

Më pas, Drejtori Politik, Hito Çako, i bëri me dije Parllakut se Hysni Kapo i kishte thënë që gjatë analizës së raportit në Byronë Politike do të ishte i pranishëm edhe ai, prandaj e porositi që të shprehte mendimet e tij në analizë.

Byroja Politike nuk e mori në analizë raportin, por caktoi Mehmet Shehun e Hysni Kapon të bisedonin me shefat e mëdhenj për problemet e ngritura në raport.

Në takim shkuan Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, ndërsa Parllaku drejtonte një stërvitje të oficerëve të lartë të ushtrisë në Jug të vendit.

Pasi kishin dëgjuar mendimet e tyre, Mehmet Shehu e Hysni Kapo i kishin bërë vërejtje Beqir Ballukut e Petrit Dumes dhe kishin thënë se do t’i raportonin Byrosë Politike dhe Enver Hoxhës, ndërkohë që kishin porositur të merreshin masa të menjëhershme për rregullimin e gjendjes.

AKUZAT E DUMES NDAJ BALLUKUT E PARLLAKUT

Sipas pohimeve të Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, në fund të takimit, Petrit Dume kishte deklaruar se marrëdhëniet e tij me ministrin Balluku ishin ideologjike, pasi lidheshin me një material teorik, përgatitur nga Beqir Balluku, ndihmuar nga Rrahman Parllaku, për të revizionuar projekt-tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Këto fjalë i ka pohuar me gojë e me shkrim edhe Enver Hoxha, kur ka deklaruar zbulimin e “veprimtarisë armiqsore të Beqir Ballukut e grupit të tij armiqësor”.

Parllaku lajmërohet të kthehet urgjentisht nga Delvina dhe t’ia lërë drejtimin e stërvitjes Arif Haskos, në atë kohë Zv/ Ministër i Mbrojtjes.

Me t’u kthyer në Tiranë, Parllaku i telefonon Petrit Dumes për ta pyetur mbi arsyen e kthimit të parakohshëm nga stërvitja, por ai i tha të sqarohej me Ministrin e Mbrojtjes.

Parllaku telefonoi Ballukun, por ai nuk iu përgjigj. Atëherë, Parllaku i telefonoi Hito Çakos, i cili bëri të paditurin. Rrahmani u detyrua t’i telefonojë përsëri Petrit Dumes, nga i cili mori njoftimin se të nesërmen në orën 09.00 duhet të ishte në zyrën e Kryeministrit. Situatë e nderë, e pakuptueshme, të gjithë bënin të paditurin. Në përgjim, organet e sigurimit inçizonin se çfarë do të bisedonin Rrahman Parllaku e Beqir Balluku.

Kështu pra, materiali që ishte mbyllur para një viti, në maj 1973, që ishte i njohur e i studiuar nga të gjithë kuadrot e larta të ushtrisë, u zbulua në qershor 1974. Vetëm tani që u denoncua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në takimin me Kryeministrin Mehmet Shehu dhe me Sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë, Hysni Kapon.

Materiali i përgatitur nga Beqir Balluku do të quhej material armiqësor, material i zi, material i antitezave ose thjesht antitezat.

/Gazeta Panorama