E diel, 23 gusht 2026
Saimprotesta

Brezi kufitar me Serbinë dhe Maqedoninë është kthyer në rrezik permanent i agjenturave serbe!

Historikisht, shërbimet inteligjente serbe janë përqendruar në brezin kufitar dhe, me tërë arsenalin e tyre, kanë shtrirë veprimtarinë antishqiptare në të gjitha drejtimet. Njëri ndër drejtimet më të rëndësishme ishte dhe mbeti gjer në ditët e sotme religjioni. Infiltrimi i tyre në religjionin islam ishte dhe mbetet njëra ndër prioritetet më të rëndësishme. Pasi Serbia humbi luftën dhe u largua nga Kosova me tërë arsenalin ushtarak dhe policor, ajo la mbrapa agjenturën e saj dhe pikërisht rriti aktivitetin brenda religjionit islam. Ky aktivitet, në përmasa më të mëdha, veproi në brezin kufitar me Serbinë, si në Mitrovicë, Vushtrri e gjer në Podujevë, për të vazhduar në Gjilan e deri në Kaçanik, si njëra ndër qendrat më aktive të këtyre agjenturave.

Protestat në Vushtrri dhe heqja e pllakës ku do të ndërtohej kisha me emrat e Shën Florit dhe Shën Laurit nuk janë rastësi, por vazhdimësi e këtyre agjenturave serbe. Këta protestues janë të hipnotizuar nga emisarët e Islamit Politik, prapa të cilëve qëndrojnë agjenturat serbe. Manipulimi me këta të gjorë është i lehtë, sepse janë hipnotizuar me vite dhe tani ka kaluar në sëmundje psikike, që vërtetë kërkon trajtim profesional nga institucionet profesionale shëndetësore.

Këtu shteti duhet të veprojë urgjentisht me institucionet profesionale ekzistuese dhe të formojë edhe të tjera me urgjencë. Të protestosh me flamurin e Kosovës, shtetit laik ku garantohet me Kushtetutë e drejta e besimit dhe ushtrimit të tij, kundër gurthemelit të një kishe katolike, vërtet është absurditet i llojit të vet. Të protestosh kundër ndërtimit të një kishe katolike me flamurin kuqezi të Gjergj Kastriotit është edhe më absurde.

Këto veprime absurde mund t’i bëjnë vetëm ata që janë të sëmurë psikikisht nga emisarët e Islamit Politik, prapa të cilëve qëndrojnë agjenturat serbe. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës duhet t’i përqendrojnë veprimet e veta në tërë brezin kufitar me Serbinë dhe Maqedoninë, në mënyrë që t’i zbulojnë agjentët e shërbimeve serbe dhe maqedonase, të cilat janë në sinkron, dhe t’i pengojnë veprimet e tyre antishtet dhe antikombëtare.