
ALBERT HITOALIAJ
ARMIQËSIA NDAJ SHBA-SË
(U) Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie zyrtare me SHBAnë, që nga nëntori 1946, kur misioni amerikan në Tiranë u tërhoq. Në deklaratat kryesore të kohëve të fundit mbi politikën e jashtme, Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të lartë e dënuan ashpër SHBA-në për politikat e saj “imperialiste” dhe përjashtuan “marrëdhënie diplomatike apo të çfarëdo lloji tjetër” me të. Hoxha dënoi gjithashtu politikat e Presidentit Reagan si “dëshmi të qarta të vijës më të ashpër, më agresive dhe më aventuriere në politikën e jashtme të SHBA-së, e cila mbështetet gjithnjë e më shumë në forcën ushtarake”.
(U) Në prill 1973, zëvendëssekretari i Shtetit, Rush, deklaroi se, nëse, dhe kur, Shqipëria do të dëshironte të rivendoste marrëdhëniet, SHBA-ja do të ishte e gatshme t’i përgjigjej pozitivisht. Që nga ajo deklaratë, zyrtarë të tjerë të Departamentit të Shtetit kanë riafirmuar periodikisht gatishmërinë e SHBA-së për të diskutuar normalizimin e marrëdhënieve, sa herë që Shqipëria të ishte e gatshme ta bënte këtë. Tirana nuk është përgjigjur kurrë.
(C) Perspektivat për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaroamerikane duken pothuajse joekzistente për sa kohë Hoxha mbetet në pushtet ose nëse atë e pason një regjim po aq tradicional. Megjithatë, një regjim pasardhës, i cili nuk do të ishte i lidhur me politikat e ashpra ideologjike dhe izoluese të Hoxhës, mund të ishte më i prirë të shqyrtonte një qëndrim më të hapur ndaj SHBA-së dhe fuqive të tjera të mëdha: BRSS-së, Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të cilat Shqipëria nuk ka marrëdhënie diplomatike.
(C/NF) VAZHDIMI I POLITIKËS SË HOXHËS/SHEHUT PËR ZGJERIMIN E MARRËDHËNIEVE ME PERËNDIMIN
Që nga vdekja e Shehut, regjimi ka bërë hapa të kujdesshëm drejt vendosjes së marrëdhënieve me vende të përzgjedhura Perëndimore:
– Ambasadori shqiptar në Beograd i ka bërë të ditur “jozyrtarisht” homologut të tij kanadez se, nëse Kanadaja dëshironte të vendoste marrëdhënie diplomatike, Shqipëria nuk do të shihte asnjë pengesë për këtë. (Qasja ndaj Kanadasë ishte e ngjashme me atë që i ishte bërë Japonisë disa vite më parë, nëpërmjet të njëjtit ambasador shqiptar. Kjo çoi përfundimisht në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-japoneze.)
– Diplomatët shqiptarë në Vjenë kanë deklaruar se Shqipëria tani është e përgatitur të normalizojë marrëdhëniet e saj me Spanjën dhe me vende të tjera të Mesdheut. (Në shkurt 1980, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë shqiptare të Tregtisë së Jashtme, u dërgua në Spanjë për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve tregtare; kjo ishte hera e parë që një zyrtar shqiptar i rangut të lartë vizitonte Spanjën.)
Përpjekjet e Shqipërisë për afrim duket se motivohen më shumë nga konsiderata ekonomike sesa nga ndonjë dëshirë për të përmirësuar marrëdhëniet politike ose për të përballuar trysnitë e një popullsie të pakënaqur. Nuk përfshihen probleme të rëndësishme politike/ideologjike apo “çështje parimore”. Nga ana tjetër, Tirana nuk ka treguar asnjë prirje për të bërë lëshime në sondazhet e saj lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar, dhe Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ):
– Udhëheqësit shqiptarë kërkojnë që Britania, si kusht paraprak, t’i kthejë Shqipërisë arin e saj të periudhës para Luftës së Dytë Botërore (të konfiskuar nga Fuqitë e Boshtit dhe që tani mbahet nën administrimin e Komisionit Trepalësh të Arit: SHBA, Mbretëri e Bashkuar dhe Francë), së bashku me interesat e akumuluara. Derisa kjo të ndodhë, Shqipëria jo vetëm që refuzon të marrë në shqyrtim vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por nuk pranon as të zhvillojë diskutime me britanikët; dhe – udhëheqësit shqiptarë kërkojnë, si kusht për vendosjen e marrëdhënieve, që Republika Federale e Gjermanisë (RFGJ) të paguajë reparacione (rreth 4,5 miliardë dollarë amerikanë) për dëmet që Shqipëria pësoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
(C/NF) QËNDRIMET E MBRETËRISË SË BASHKUAR DHE RFGJ-SË NDAJ PARAKUSHTEVE TË SHQIPËRISË
Britanikët këmbëngulin që Shqipëria, përpara se të mund të zhvillohen diskutime për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe zgjidhjen e pretendimeve të pazgjidhura të Shqipërisë mbi arin, duhet të paguajë dëmshpërblimin për incidentin detar të Kanalit të Korfuzit të tetorit 1946.
(U) Dy destrojerë britanikë u fundosën nga mina të padeklaruara, në brigjet shqiptare: sipas raportimeve, 38 persona u vranë dhe 43 u plagosën. Në vitin 1949, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha një vendim që përcaktonte përgjegjësinë e Shqipërisë për incidentin dhe i akordoi Britanisë së Madhe 843 947 paund dëmshpërblim.
Tirana pretendoi se “nuk dinte asgjë për vendosjen e minave dhe nuk kishte as minat, as mjetet dhe as ekspertët për t’i vendosur ato”. (Pretendime mbi këtë ar janë paraqitur nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.) Tirana refuzon kategorikisht si çdo lidhje ndërmjet incidentit të Kanalit të Korfuzit dhe kthimit të arit, ashtu edhe pagesën e çfarëdo dëmshpërblimi që lidhet me incidentin e Kanalit të Korfuzit. Në shkurt 1979, qeveria shqiptare iu drejtua Mbretërisë së Bashkuar për të diskutuar kthimin e arit. Në atë kohë, Banka e Shtetit Shqiptar e vlerësonte atë në 22,8 milionë dollarë amerikanë. Propozimi britanik, një vit më vonë, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike përpara zgjidhjes së çështjes së arit, u hodh poshtë nga Tirana.
(C/NF) Po kështu, diskutimet e herëpashershme ndërmjet diplomatëve të Gjermanisë Perëndimore dhe atyre shqiptarë, në Beograd dhe në Vjenë, duket se nuk kanë çuar askund. Gjermanoperëndimorët e interpretojnë parakushtin shqiptar për pagesën e reparacioneve, në kuptimin, se Boni duhet të paguajë madje, edhe për dëmet e shkaktuara nga italianët. Boni është i gatshëm të zhvillojë diskutime, pa parakushte, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe t’i shtyjë diskutimet e natyrës ekonomike deri kur bisedimet për marrëdhëniet diplomatike, të kenë përfunduar me sukses. Tirana e ka refuzuar kategorikisht këtë qasje.
(C/NF) ITALIA NË POLITIKËN E JASHTME PAS SHEHUT
Për sa i përket Italisë, Tirana ka treguar pak interes për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe ose për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike dhe kulturore, që nga vdekja e Shehut. Në të vërtetë, thuhet se politika e jashtme shqiptare është bërë edhe më e ngurtë në këtë drejtim. Tirana mund të mos jetë më, aq e interesuar për zgjerimin e marrëdhënieve me Italinë, sepse marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë janë përmirësuar, që nga pika e tyre më e ulët, verën e kaluar. Marrëveshja italoshqiptare e qershorit 1980, për shkëmbimet arsimore, kulturore dhe shkencore për vitet 1981-1983, u nënshkrua, dhe nisën negociatat për shërbimin e trageteve ndërmjet dy vendeve, në një kohë kur Tirana, me ç’duket, po përpiqej të zgjeronte kontaktet me Italinë dhe me vende të tjera Perëndimore, për të kundërpeshuar masat hakmarrëse jugosllave për rolin e Shqipërisë në trazirat e Kosovës. Jugosllavia kishte filluar tashmë të anulonte shkëmbime të ndryshme me Shqipërinë dhe po kërcënonte me masa të tjera ndëshkuese që preknin tregtinë, transportin dhe komunikacionin.
POLITIKA BALLKANIKE DHE QËNDRIMET NDAJ VENDEVE TË BALLKANIT
(U) Brenda rajonit të Ballkanit, Shqipëria këmbëngul që tregtia dhe bashkëpunimi i saj ekonomik të zhvillohen mbi baza dypalëshe. Ajo e ka kundërshtuar vazhdimisht bashkëpunimin shumëpalësh dhe ka refuzuar të marrë pjesë në dy konferencat ballkanike të zhvilluara deri atëherë, duke përmendur si arsye kundërshtimin ndaj pjesëmarrjes së Bullgarisë dhe kundërshtimin parimor ndaj multilateralizmit. Shqiptarët e akuzojnë Bullgarinë se është “baza e përparuar e imperializmit sovjetik në Ballkan” dhe i kanë paralajmëruar popujt e Ballkanit të jenë vigjilentë ndaj “kërcënimit” sovjetobullgar. (Që nga viti 1970, udhëheqësit shqiptarë janë zotuar se do të luftonin përkrah Jugosllavisë, Greqisë dhe Rumanisë kundër çdo agresori — nënkupto: sovjetik.)
(U) Por zëdhënësit shqiptarë dënojnë gjithashtu çdo ndërhyrje të superfuqive në Ballkan, duke i akuzuar SHBA-në dhe BRSS-në se kanë “interesa hegjemoniste” në rajon dhe se dëshirojnë ta shndërrojnë atë “në një fuçi baruti të përhershme”. Ndonëse, problemet me të cilat përballet Ballkani, thuhet se janë të ngjashme me ato me të cilat përballet Europa (d.m.th., konfliktet dhe interesat e superfuqive), shqiptarët, pohojnë se konfliktet ballkanike janë më të mprehta dhe më të rrezikshme, për shkak të pozitës strategjike që rajoni zë në përllogaritjet e superfuqive.
(U) Marrëdhëniet me Greqinë janë përmirësuar ndjeshëm që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1970, pas një ndërprerjeje 30-vjeçare. Hoxha pohon se Shqipëria i kushton kujdes të veçantë forcimit të marrëdhënieve të saj miqësore me Greqinë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Delegacioni shqiptar, në pritjen e organizuar në Tiranë për Ditën Kombëtare të Greqisë, në mars 1982, përbëhej në mënyrë të dukshme nga përfaqësues të rangut të lartë, ndër të cilët ministrat e Punëve të Jashtme, Tregtisë së Jashtme dhe Arsimit e Kulturës. Mediet shqiptare botuan gjithashtu komente lëvduese për Greqinë, duke përmendur luftërat e saj historike për pavarësi, në të cilat shqiptarët dhe grekët, në periudha të caktuara, kishin luftuar krah për krah.
(U) Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë gjithashtu miqësore, por, në ndryshim nga ato me Jugosllavinë dhe Greqinë, nuk janë të rënduara nga mosmarrëveshje territoriale apo çështje pakicash. Kohët e fundit, Hoxha falënderoi “popullin turk për strehimin vëllazëror të qindra mijëra vëllezërve tanë nga Kosova, të cilët u dëbuan nga trojet e tyre në Jugosllavi”.
(C) Shqiptarët e vlerësojnë qëndrimin, relativisht të pavarur, të Rumanisë, në politikën e jashtme kundrejt Moskës dhe, në përgjithësi, e anashkalojnë anëtarësimin e saj në Traktatin e Varshavës, sepse Rumania, ndryshe nga Bullgaria, nuk shihet si një bazë sovjetike që kërcënon Ballkanin. Megjithatë, përpjekjet shumëvjeçare të Çausheskut për të nxitur pjesëmarrjen e Shqipërisë në takimet shumëpalëshe ballkanike nuk kanë pasur sukses.
(C) Gjatë dy dekadave të fundit, Bullgaria është dënuar në mënyrë më të vazhdueshme nga Shqipëria, sesa çdo anëtar tjetër europianolindor i Traktatit të Varshavës. Përpara prishjes me Moskën dhe aleatët e saj, marrëdhëniet dypalëshe kishin qenë përgjithësisht të mira. Historikisht, Shqipëria ishte lidhur në aleancë me bullgarët kundër serbëve, malazezëve dhe grekëve. Në kundërshtim me dyshimet e përsëritura jugosllave, nuk ka tregues se zyrtarët bullgarë dhe shqiptarë (ose shërbimet e tyre përkatëse të inteligjencës) bashkëpunojnë fshehurazi kundër Jugosllavisë.
(U) DËNOHET LËVIZJA E TË PAINKUADRUARVE
Megjithëse Shqipëria i ka zgjeruar marrëdhëniet e saj diplomatike, tregtare dhe kulturore me vende të ndryshme të Botës së Tretë, ajo refuzon bashkëpunimin shumëpalësh me to ose anëtarësimin në organizatat e tyre politike apo ekonomike (p.sh., Grupi i 77-ës).
Hoxha:
– ka përqeshur idenë se vendet në zhvillim kanë një zë të pavarur në organizatat ndërkombëtare ose se mund të mos pajtohen me superfuqitë;
– ka akuzuar imperializmin se nxit krijimin e organizatave të vendeve në zhvillim, për të krijuar përshtypjen se vendet pjesëmarrëse gëzojnë sovranitet dhe pavarësi;
– ka pretenduar se shumë vende detyrohen t’i bashkohen njërës prej aleancave të superfuqive, edhe pse Lëvizja e të Painkuadruarve, teorikisht, shmang pjesëmarrjen në blloqet ushtarake dhe deklaron se mbron interesat e vendeve në zhvillim kundër superfuqive;
– ka akuzuar udhëheqësit e vendeve të painkuadruara, “veçanërisht jugosllavët, të cilët duan të bëhen udhëheqësit dhe ideologët e lëvizjes”, se parashtrojnë “teori demagogjike” që e përçajnë lëvizjen dhe nxisin konflikte ndërmjet anëtarëve të saj; dhe – ka akuzuar superfuqitë se i shfrytëzojnë këto përçarje dhe konflikte dhe, në këtë mënyrë, diktojnë veprimtarinë e lëvizjes.
NUK PRITEN SHMANGIE TË DUKSHME NGA POLITIKA E JASHTME
(C) Nuk ka gjasa të ndodhin ndryshime të mëdha në politikën e jashtme shqiptare për sa kohë që Hoxha mbetet në pushtet ose gjatë periudhës së menjëhershme pas Hoxhës, veçanërisht nëse do të mbizotërojnë anëtarët e “gardës së vjetër” partizane. Dihet kaq pak për udhëheqësit më të rinj të Shqipërisë ose për konfigurimin e udhëheqjes shqiptare, saqë nuk mund të bëhen parashikime, me ndonjë shkallë sigurie, për drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë. Një marrëveshje me BRSS-në është shumë e pamundur, për sa është gjallë Hoxha; deri më sot, ai i ka hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e Moskës për afrim. Megjithatë, këto përpjekje, pa dyshim që do të shtohen sapo pasardhësit e Hoxhës të marrin pushtetin.
(C) Një regjim i periudhës pas Hoxhës, i përballur me probleme të ngutshme ekonomike, trazira të përhapura për shkak të kushteve politike dhe ekonomike, ose me një kërcënim të perceptuar nga Jugosllavia apo Perëndimi, mund t’i drejtohej Moskës për ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Mundësia e një orientimi drejt Moskës do të shtohej nëse, pas Hoxhës, në udhëheqjen shqiptare do të shfaqej një fraksion prosovjetik (siç hamendësojnë disa jugosllavë dhe diplomatë Perëndimorë), ose nëse një udhëheqje e periudhës pas Brezhnjevit do t’i dukej Tiranës më e pranueshme. Me pak fjalë, ndryshimet e afërta në udhëheqjen e BRSS-së dhe të Shqipërisë mund t’i shtynin të dy regjimet të përpiqeshin të zgjidhnin mosmarrëveshjet e mbetura prej kohësh dhe të rifillonin marrëdhënie më normale, edhe pse jo të ngushta.
(C) Për shkak të Kosovës dhe “problemit” shqiptar në Jugosllavi, një përmirësim thelbësor i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në tërësi, duket i largët, pavarësisht marrëveshjeve të fundit ekonomike, të lidhura ndërmjet dy vendeve. Duke pasur parasysh dyshimin e thellë të Hoxhës ndaj sovjetikëve, ai mund t’i zbusë përsëri ambiciet e tij nacionaliste dhe armiqësinë ndaj “revizionizmit” jugosllav. Ndoshta, është po aq e rëndësishme, se ai madje, mund të shmangë edhe veprimet që kërcënojnë stabilitetin dhe unitetin kombëtar të Jugosllavisë. Pavarësisht nga ndjenjat e tij personale ndaj Jugosllavisë apo “serbomëdhenjve”, Hoxha mund ta kuptojë fare mirë se një Jugosllavi e qëndrueshme dhe e bashkuar ka më shumë gjasa t’u rezistojë depërtimeve sovjetike në Ballkan dhe kundër Shqipërisë, sesa një shtet i dobët, pa kohezion ose i cunguar.
(C) Edhe sikur të bëhej një “Shqipëri e Madhe” (që, sipas raportimeve, është ëndrra e shumicës së shqiptarëve), udhëheqësit e Tiranës mund të mos ishin në gjendje t’i përballonin në mënyrë efektive problemet që do ta shoqëronin atë. Përpjekja për të asimiluar rreth 1,6 milionë shqiptarë nga Jugosllavia — me nivelin e tyre përgjithësisht më të lartë arsimor, me liri politike, shoqërore dhe ekonomike shumë më të mëdha dhe me standarde më të larta jetese, — me 2,6 milionë banorët e Shqipërisë, mund të shndërrohej lehtësisht në një faktor të madh përçarës, duke lindur fraksione të reja politike dhe grupe interesi dhe duke e bërë vendin edhe më të ndjeshëm ndaj ndikimeve dhe ndërhyrjeve të huaja.
(C/NF) Ashtu si në të kaluarën, gjendja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave ka shumë të ngjarë të mbetet elementi përcaktues në politikën e jashtme të përgjithshme të Tiranës. Nëse marrëdhëniet dypalëshe do të përkeqësoheshin seriozisht, shqiptarët do të ishin më të prirë t’i drejtoheshin Moskës për mbrojtje. Në të kundërt, përmirësimi i marrëdhënieve, mund ta bindte Shqipërinë që të bëhej më dashamirëse ndaj Lëvizjes së të Painkuadruarve dhe ndaj Perëndimit.
Megjithatë, pavarësisht nga orientimi i saj i theksuar antijugosllav, jugosllavët madje, mund të ishin të kënaqur me vazhdimin e politikës së jashtme të tanishme të Shqipërisë. Shqipëria është antiperëndimore po aq sa edhe antisovjetike; ajo nuk është e rreshtuar me asnjërin prej dy blloqeve ushtarake dhe duket vendosmërisht e përcaktuar për të ruajtur pavarësinë e saj. Ajo nuk përbën kërcënim për pavarësinë ose stabilitetin e Jugosllavisë, — duke supozuar se Kosova mbetet një problem që regjimi i Beogradit është në gjendje ta mbajë nën kontroll.
(C/NF) Pozita strategjike e Shqipërisë në Ballkan dhe në Adriatik i jep asaj një rëndësi të tillë, si për Traktatin e Varshavës edhe për NATO-n, që e tejkalon shumë përmasën dhe popullsinë e saj [shënim: theksimi i shtuar – A. H.]. Në fund të fundit, politika e jashtme e Shqipërisë mund të varet nga problemet dhe zhvillimet e brendshme (p.sh., fraksionizmi politik, vështirësitë ekonomike dhe masat e marra për kapërcimin e tyre, trazirat popullore që kërcënojnë stabilitetin e regjimit), të cilat mund ta detyrojnë udhëheqjen të kërkojë ndihmë jashtë vendit për zgjidhjen e tyre. Vendet që janë më drejtpërdrejt të interesuara për drejtimin që do të marrë kjo politikë e jashtme, duket se po presin momentin e përshtatshëm, duke u përpjekur ndërkohë që të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre me regjimin aktual, në mënyrë që të kenë marrëdhënie të përzemërta dhe të frytshme me pasardhësit e Hoxhës.
Mbetet për t’u parë, nëse ajo periudhë do të karakterizohet nga vazhdimësia dhe stabiliteti, apo nga dhuna, nga kthesa të menjëhershme në politikën e jashtme dhe nga ndërhyrja e huaj.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.