E martë, 08 shtator 2026
Rugova-Xh

Xhafer Shatri: I vetmi subjekt që mund dhe di ta sfidojë me sukses VV-në është LDK-ja!

SULMI I RADHËS MBI KALANË E VJETËR

Xhafer Shatri

Lidhja Demokratike e Kosovës është histori.

Është edhe nostalgji.

Në këtë të dytën po e ngjyej penën për t’i shkruar këta rreshta.

Një plejadë e tërë idealistësh, që vepronin gjithandej në Kosovë e në mërgim, e bënte LDK-në të ishte vetë Kosova. Ata burra e gra të të gjitha moshave e profileve e sfidonin Serbinë me gjithçka. Në tokë e në qiell.

E sfidonin çdo ditë përmes shkollës shqipe;

I refuzonin të gjitha projektet e përpjekjet e pushtuesve për ta nënshtruar Kosovën.

Ky idealizëm i qashtër i kishte rrënjët te Rilindja Kombëtare:

LIRI, DIJE, PËRPARIM, DINJITET!

Ata ishin ajo gjenerata e artë që e shtroi udhën për ta bërë Kosovën shtet.

Kur LDK-ja mbeti pa zot shtëpie, ende pa arritur të shndërrohej nga lëvizje në parti, dolën në shesh përplasjet e të çarat.

Por grushtin kryesor LDK-së ia dha Isa Mustafa, kur, me ndihmën e SHIK-ut, u bë kryetar i saj pa qenë kurrë anëtar.

Këtë puç antishtetëror ajo plejadë idealistësh e ka përjetuar si shpartallim të familjes së vet.

***

Cili ishte qëllimi i puçit?

Kompromisi me Serbinë për copëtimin e Kosovës, si kusht i vetëm që shefi i Isa Mustafës, Hashim Thaçi, t’i shpëtonte burgut. Ky ishte kurthi që Serbia ia kishte ngritur Kosovës, dhe Isa Mustafa e çoi vendin drejt e në të.

Nënshkrimi i Marrëveshjes Mustafa–Vuçiq, më 25 gusht 2015, është akti më i rëndë i tradhtisë që i është bërë Kosovës ndonjëherë. Kjo marrëveshje famëkeqe, sipas Gjykatës Kushtetuese, e shkelte dhe e bënte shesh për pshesh Kushtetutën e Republikës.

Përpjekja e tandemit Thaçi – Mustafa për ta detyruar Kuvendin e Kosovës ta miratonte këtë marrëveshje antishqiptare (Parimet e përgjithshme të funksionimit të Zajednicës) e çoi Kosovën në prag të luftës civile.

***

Marrëveshjen e tradhtisë që e nënshkroi Isa Mustafa e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin KO130/15, të datës 23 dhjetor 2015.

Por ky aktgjykim nuk i hiqte edhe spicat që i linin rrugë Zajednicës të bëhej minuese legale e shtetit.

I vetmi gjyqtar që e kundërshtoi aktgjykimin ishte Bekim Sejdiu.

Lexojeni mendimin e tij mospajtues për ta kuptuar arsyen e vërtetë pse Isa Mustafa i cyti dhe i mbështeti deputetët „disidentë” për ta minuar zgjedhjen e Bekim Sejdiut në krye të shtetit.*

***

LDK-ja është histori. Prandaj nuk mund ta shkatërrojë as Isa Mustafa, as SHIK-u, as lakejtë e tyre.

Mua më vjen keq që në këtë përplasje ranë në provim disa kuadro të rëndësishëm e LDK-istë të kalitur, nga të cilët Kosova ka pritur më shumë. Këta nuk do të duhej të identifikoheshin në asnjë mënyrë me tipa që e kanë bishtin e zënë me derë ose me ata që „për një mi e djegin shtëpinë”.

Fundja, në qëndrimin e tyre nuk ka logjikë politike, nuk ka traditë LDK-iste.

Prandaj jam i sigurt se ata, herët a vonë, do të pendohen, sepse qëndrimi i tyre aktual është kundër interesave jetike të vendit, është kundër frymës së LDK-së: SHTETI MBI GJITHÇKA!

Përpjekja e LDK-së për ta nxjerrë shtetin nga ngërçi është akt shtetforcues dhe, kurdo që të mbahen zgjedhjet, elektorati do ta shpërblejë për këtë.

Përndryshe ta çosh vendin në zgjedhjet e katërta brenda dy vitesh dhe të konkurrosh me parti të përçarë është vetëvrasje e dyfishtë.

Sepse çështja është shumë serioze: Kush fiton duke e lënë Kosovën pa institucione të efektshme në një kohë kur priten vendime, ngjarje e lëvizje tektonike?

Serbia e Rusia!

Për fat të mirë, LDK-ja megjithatë është kala dhe nuk mund të shkatërrohet aq lehtë. Harrojeni përgjithmonë, sepse është punë që s’bëhet!

Sepse janë 37 vjet histori, 37 vjet përpjekje, 37 vjet shtetndërtim.

***

Edhe zogjtë e dinë se, aktualisht, i vetmi subjekt që mund dhe di ta sfidojë me sukses VV-në është LDK-ja.

Të tjerat janë përralla, luftë për pushtet, inate personale, argatllëk në shërbim të Serbisë.

Dhe ligësi e budallëqe pa hesapë.