E martë, 08 shtator 2026
degradimi12

Degradimi i arsimit – kërcënimi më serioz për të ardhmen e Kosovës!

Prof.Dr. Kolë Krasniqi

Rezultatet e PISA-s janë pasqyra më e qartë e degradimit shumëvjeçar të sistemit arsimor në Kosovë. Vetëm 15 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin bazë në matematikë, rreth 16 për qind në lexim dhe 21 për qind në shkencë. Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e nxënësve tanë përfundojnë vite të tëra shkollimi pa i përvetësuar njohuritë elementare që u nevojiten për jetë, vazhdimin e studimeve dhe për punësimin.

Padyshim se përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’u ngarkohet fëmijëve, por një sistemi që, për vite me radhë, ka toleruar politizimin, nepotizmin, punësimet korruptive dhe mungesën e ndergjegjes dhe përgjegjësisë profesionale. Në shumë raste, mësimdhënësit nuk punësohen në bazë të meritës, përgatitjes profesionale e pedagogjike dhe arsimimit të tyre përkatës, por përmes lidhjeve partiake, familjare madje edhe interesave kriminale.

Problemi i arsimit në Kosovë fillon në nivelin fillor dhe të mesëm dhe vazhdon të thellohet edhe në universitete, ku janë shtuar programet e studimit me cilësi të ulët, avancimet akademike pa meritë, studimet master pa përmbajtje të mirëfilltë shkencore, si dhe doktoratat “fantome”, të kopjuara apo të fituara në institucione të dyshimta. Titujt akademikë po përdoren gjithnjë e më shumë si dekor shoqëror dhe si mjet për përfitime personale e profesionale, në vend që të shërbejnë si dëshmi e dijes, e punës kërkimore-shkencore dhe e integritetit intelektual..

Nuk mund të kemi shkolla cilësore kur universitetet prodhojnë diploma pa dije. Nuk mund të kemi universitete serioze kur avancimet akademike përcaktohen nga klanet, politika dhe interesat personale, grupore, madje edhe kriminale. Po ashtu, nuk mund të ndërtojmë një shtet funksional kur arsimi trajtohet si hapësirë punësimi për militantët partiakë, familjarët e tyre dhe persona të tjerë të privilegjuar.

Pasojat e kësaj gjendjeje nuk kufizohen vetëm brenda institucioneve arsimore. Degradimi i arsimit ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e sistemit të drejtësisë, të organeve dhe institucioneve të sigurisë, të qeverisjes dhe të administratës shtetërore. Kur sistemi arsimor prodhon diploma pa dije dhe kuadro pa përgatitjen e nevojshme profesionale dhe etike, këta individë më pas bëhen pjesë e gjykatave, prokurorive, policisë, institucioneve të sigurisë, ministrive dhe administratës publike. Si rrjedhojë, dobësohet profesionalizmi, cenohet ligjshmëria, bie cilësia e vendimmarrjes dhe humbet besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit.

Arsimi i dobët padyshim se prodhon administratë të paaftë, ekonomi jokonkurruese, institucione të brishta, mungesë të mendimit kritik dhe qytetarë gjithnjë e më të cenueshëm ndaj manipulimit politik, propagandës dhe ekstremizmit. Një shtet që nuk investon në dije e humb gradualisht aftësinë për të ndërtuar dhe mbrojtur të ardhmen e vet.

Kosovës i nevojitet një reformë rrënjësore, e jo një strategji e re që mbetet në letër. Duhet të verifikohen diplomat dhe titujt akademikë, të hetohen urgjentisht dhe me paanshmëri rastet e dyshuara të plagjiaturës dhe korrupsionit, duhet të mbyllen programet që nuk i përmbushin standardet e cilësisë, të depolitizohen konkurset dhe të përcaktohen kritere të qarta e të matshme për punësimin dhe vlerësimin e mësimdhënësve.

Përgjegjësi konkrete duhet të kërkohet nga ministria, komunat, universitetet, organet e akreditimit, veçanërisht nga Qendra NARIC Kosova, si dhe nga çdo institucion tjetër që, përmes veprimit ose mosveprimit të vet, ka mundësuar këtë degradim..

Pikërisht për shkak se cilësia e arsimit përcakton cilësinë e drejtësisë, të sigurisë, të qeverisjes dhe të vetë funksionimit të shtetit, arsimi duhet të shpallet urgjencë kombëtare dhe të trajtohet përtej interesave partiake.

Nëse vazhdojmë të heshtim përballë diplomave pa dije, doktoratave të blera, punësimeve korruptive dhe zhvlerësimit të profesionit të mësimdhënësit, nuk do të dështojmë edhe në testin tjetër të PISA-s, por do të humbasim breza të tërë të rinjësh dhe bashkë me ta, edhe perspektivën e zhvillimit dhe të funksionimit të Kosovës si shtet ligjor dhe demokratik.