E mërkurë, 09 shtator 2026
vrasjet politike12

Derisa nuk zbulohen vrasësit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike nuk ka liri të plotë

Saim Tahiraj

Ditët po afrohen dhe Gjykata Speciale në Hagë shumë shpejt do ta jepë vendimin përfundimtarë për të dyshuarit që po gjykohen atje.

Gjykata Speciale është produkt i Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar.

Pse nuk e presim me durim vendimin përfundimtarë që do e japë drejtësia e kësaj gjykate?

Çfarë janë gjitha këto protesta, debate televizive që në shenjestëre  kanë Gjykatën Speciale që vet e formuam me miqtë tanë ndërkombëtar?

Nëse vërtetë kërkojmë drejtësi, ajo do të vendoset pikërisht nga kjo gjykatë, e cila është autorizuar të ndaj drejtësi. Drejtësia ndahet nga gjykatat, të cilat janë të specializuara për këtë punë dhe jo në rrugë, andaj duhet t’ju besojmë.

Nëse vërtet jeni të bindur në pafajësinë e tyre, atëhere pse duhet të protestoni në rrugë dhe nuk e prisni vendimin përfundimtar të Gjykatës Speciale në Hagë.

Nëse mendoni se presioni i juaj me protesta në rrugë mund të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës Speciale, e keni shumë gabim sepse ajo vepron e pavarun dhe nuk i nënshtrohet asnjë presioni.

Ju që po kërkoni drejtësi në rrugë, pse nuk e bëtë këtë edhe atëhere kur ndodhën gjithë ato vrasje politike të personaliteteve të njohura politike, ushtarake dhe policore, që ishin pjesë e LDK-së dhe institucioneve shtetërore që i pati ndërtuar LDK-ja bashkë me partitë tjera politike, partnere të saja?

Nuk ka drejtësi selektive siç po e kërkoni ju nga rruga, ka drejtësi të barabartë për të gjithë, e cila vendoset vetëm në gjykatë dhe jo në rrugë. Nuk ka liri selektive, por ajo duhet të jetë për të gjithë, edhe për ato shumë familje, të cilave ju vranë anëtarët e tyre padrejtësisht. Derisa mos të zbulohen vrasësit dhe urdhërdhënësit e tyre nuk ka liri të plotë për të gjithë.

Vetëm atëherë kur drejtësia do të vendoset për të gjithë, dhe fajtorët do ta marrin dënimin e merituar vlen sllogani i juaj “Liria ka Emër”.

Lereni Gjykatën Speciale të punojë e qetë, largohuni nga presionet e protestave në rrugë. Ta respektojmë vendimin përfundimtar të Gjykatë Speciale, cilido qoftë ai.