E martë, 04 gusht 2026
TAKIMI-KURTI-ABDIXHIKU

Albin Kurti, dështoi të ofrojë zgjidhje! Nuk do koalicion!

Pas rreth tri orësh ka përfunduar takimi Kurti-Abdixhiku, në të cilin pjesëmarrës tjerë pati nga dy partitë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se me LDK-në nuk kanë marrëveshje politike.

“Marrëveshje politike nuk kemi, diskutuam për qasje të ndryshme, mundësitë që i kemi përpara, kemi nevojë për marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë”, tha Kurti.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, nëse nuk do kemi marrëveshje, hapa përpara, përkundër mosdëshirës, fatkeqësisht zgjedhjet e reja mund të shkaktohen, do të përpiqemi maksimalisht, të vazhdojmë takimet dhe komunikimin”, tha ai.

Derisa për pozitën e presidentit tha se nuk duhet të jetë pjesë e pushtetit politik.

Duke shtuar se nuk mundet të sjellë emër konkret.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka treguar se çfarë u bisedua.

Ai tha se LDK-ja nuk e do postin e kryeparlamentarit, të cilin e quajti “ceremonial”.

“Me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultatit zgjedhor, por edhe të gatishmërisë sonë si LDK që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, besoj se kështu e respektojmë edhe interesin e Republikës. Ishte një takim i mirë, i mbarë, ku diskutuam çështje të ndryshme programore, politike të ardhme e strategjike. Do të përpiqemi që në ditët në vazhdim të diskutojmë sërish. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës, dhe në këtë balancë demokratike LDK duhet të ndihet e përfaqësuar në të kundërtën edhe kontributi i LDK-së dhe konstalacioni politik i ndërtuar s’do të ketë as forcën e as fuqinë e nevojshme, do t’i vazhdojmë takimet me po kaq vullnet të mirë, nëse s’bëjmë asgjë, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme”.

“Nëse LDK arrin partneritet me palën tjetër, të ndihet e përfaqësuar. Nuk kemi folur për emra konkretë, ende jemi duke diskutuar për parimet. Nëse deri më 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar të vazhdohet tutje me konstituimin e Kuvendit. LDK s’e ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, është post ceremonial. Sa më herët, më mirë nëse bëjmë zgjidhje”, deklaroi Abdixhiku.