E martë, 04 gusht 2026
Libri-Kelmendi

Botohet në holandisht libri “Rruga e dëshirave”, i shkrimtarit të shquar Jeton Kelmendi

Sapo ka dalur nga botimi në gjuhën holandeze vëllimi poetik “Rruga e dëshirave” i shkrimtarit të njohur Jeton Kelmendi, njëri nga autorët shqiptarë më të përkthyer në botë.

Libri “Rruga e dëshirave”, është përkthyer në holandisht nga Eric Zobraek me titullin “Het pad van Verlangens”, ndërsa është botuar nga shtëpia botuese, DEMER PRESS.

Libri po ashtu është përcjellur me një parathënie nga përkthyesi Zobraek, i cili e vlerëson shumë krijimtarinë poetike të Kelmendit. Ai thotë se “Rruga e Dëshirave” nuk është vetëm një përmbledhje poezish, “por edhe një thesar ndjenjash dhe mendimesh që kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë”.

Ai këtë libër poetik e sheh të përbërë nga katër shtresa të krijimtarisë, të dominuara nga katër tema të mëdha, si filozofia, dashuria, përkushtimi dhe lirika jetësore. “Poezitë e tij janë dritare që hapin horizonte të mendimit dhe të ndjenjave njerëzore, ndërkohë që pasqyrojnë pasigurinë e kohëve dhe universin e brendshëm të shpirtit”, vlerëson ndër të tjera Zobraek. / Dardaniapost