
Aktivisti Arben Kola, pas lirimit nga qelia, iu bashkua protestës së 97-të para Kryeministrisë, ku foli për arrestimin e tij dhe të aktivistëve të tjerë gjatë protestës së 1 shtatorit.
Kola pretendoi se arrestimet kanë qenë të motivuara politikisht dhe me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ndërsa kritikoi institucionet e drejtësisë dhe Policinë e Shtetit.
“Siç e keni parë, pushteti është i tmerruar dhe, në veçanti, Satani Ramoviç, i cili ka marrë peng Kryeministrinë dhe Shqipërinë. Po Satani ka dhe disa djaj dhe ata fshihen mes policisë e diku në Prokurori. Arrestimi i aktivistëve ishte një arrestim politik”, u shpreh ai.
Kola tha se arrestimet nuk do ta ndalin protestën, por do të forcojnë më tej protestuesit.
“Lirinë e kemi nga Zoti dhe nuk ka asnjë bir nane që na e merr. Arrestimi për qëllime të tilla vetëm sa na bën edhe më të fortë. Dua t’ju them që tani është koha të jemi edhe më të bashkuar, pasi pushteti është tmerruar. Është koha për bashkim, për t’i dhënë grushtin e fundit narkoshtetit, pengmarrësit të Shqipërisë, tradhtarëve të Shqipërisë”, përfundoi Kola.
Aktivisti Arben Kola: Siç e keni parë, pushteti është i tmerruar dhe, në veçanti, Satani Ramoviç, i cili ka marrë peng Kryeministrinë dhe Shqipërinë. Po Satani ka dhe disa djaj dhe ata fshihen mes policisë e diku në Prokurori. Arrestimi i aktivistëve ishte një arrestim politik, me urdhër nga Edi Rama dhe me zbatim të dobët të disa shefave të policisë, por, për turpin e qeverisë, edhe disa prokurorë dhe prokurore ishin bërë palë, pasi ishin analfabetë.
Është keqardhje se sa poshtë kanë rënë institucionet shqiptare, prandaj ne kemi vetëm një qëllim, shporrjen e Ramoviçit dhe ruajtjen e institucioneve. Imagjinoni, një oficer i policisë gjyqësore që shkruan në letra se unë u arrestova te Kryeministria, ku faktet e tregojnë që unë isha te Komisariati numër 3 dhe thirrja ime ishte për të ruajtur popullin dhe policinë. Por policia, siç e keni parë, nuk do të marrë vesh. Kur themi policia, themi një pjesë, ata që e kanë shitur shpirtin djallit dhe ia kanë dhënë besën partisë dhe jo Shqipërisë.
Njeriu besën ia jep atdheut, Zotit dhe familjes, por jo partisë. Nuk shitet Shqipëria. Dhe disa nga prokurorët aty në sallë shprehën, për disa prej nesh, se do na ndalonin në disa zona të Tiranës të dilnim. Më bën për të qeshur, se nuk ishte dëgjuar asnjëherë. Vetëm në komunizëm bëheshin ndalesa të tilla. Lirinë e kemi nga Zoti dhe nuk ka asnjë bir nane që na e merr. Arrestimi për qëllime të tilla vetëm sa na bën edhe më të fortë. Dua t’ju them që tani është koha të jemi edhe më të bashkuar, pasi pushteti është tmerruar.
E mos harroni, mes të arrestuarve ishin dhe tre emigrantë, një vajzë nga Kanadaja, një djalë që jetonte në Suedi, një zotëri që jetonte në Berlin dhe, kur i pyeta dy prej tyre që ishin larguar në 10 vitet e fundit. E kuptoni se çfarë kanë bërë me shpopullimin djalli Ramoviç. Prandaj, është koha për bashkim, për t’i dhënë grushtin e fundit narkoshtetit, pengmarrësit të Shqipërisë, tradhtarëve të Shqipërisë.
Aktivisti Gent Progni ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për arrestimet e protestuesve, duke akuzuar institucionet për standarde të dyfishta në trajtimin e qytetarëve dhe efektivëve të policisë.
Progni deklaroi se protestuesit arrestohen dhe mbahen në qeli deri në 72 orë, ndërsa kur ngrihen akuza për dhunë të ushtruar nga policia mungon reagimi i institucioneve.
“Sepse për protestuesit shteti vepron menjëherë, por kur akuzohet policia për dhunë, ku është shteti, ku është hetimi dhe kur janë masat? Ne kërkojmë masa që mund të tregojnë të vërtetën dhe kamerat nuk na jepen”, u shpreh Progni.
Aktivisti ka kërkuar publikimin dhe ruajtjen e pamjeve filmike që mund të shërbejnë si prova mbi arrestimin e paligjshëm të aktivistëve.
“Prandaj po e them publikisht, mos prekni provat, mos zhdukni asnjë sekondë filmim, jepni kamerat dhe lëreni të vërtetën të flasë”, u shpreh ai, ndërsa kërkoi nga shefi i Komisariatit numër 3, Ervin Hasrama, të jap llogari për arrestimin e protestuesve.
Gent Progni: Sot ra një pjesë tjetër e maskës së këtij sistemi. Protestuesit i marrin me pranga, i fusin në qeli, i mbajnë deri në 72 orë. Dhe sot çfarë ndodhi? Gjykata i konsideroi të paligjshme arrestimet e fundit. 72 orë nga jeta e një qytetari nuk kthehen mbrapsht. Ku është përgjigjja për këtë? Sepse për protestuesit shteti vepron menjëherë, por kur akuzohet policia për dhunë, ku është shteti, ku është hetimi dhe kur janë masat?
Ne kërkojmë masa që mund të tregojnë të vërtetën dhe kamerat nuk na jepen. Prandaj po e them publikisht, mos prekni provat, mos zhdukni asnjë sekondë filmim, jepni kamerat dhe lëreni të vërtetën të flasë.
Dhe pikërisht në këtë moment, sot, me sytë e mi pashë Ulsi Manjën, kreun e Komisionit të Ligjeve, në tavolinë me Klevis Qosen, drejtuesin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe sipas informacioneve që disponoj, Qose është kunati i Ulsi Manjës dhe ka mbajtur detyra të larta në strukturat në Ministrinë e Drejtësisë gjatë kohës që e drejtonte Ulsi Manja.
Mos na kërkoni të heshtim, na jepni përgjigje. Ervin Hasrama, jep përgjigje, se je i pari që jep urdhra arrestimi. Kush po e heton policinë? Kush po ruan kamerat? Kush garanton që provat nuk manipulohen dhe kush mban përgjegjësi për qytetarët që përfunduan 72 orë në qeli, me arrestime që shpallen të paligjshme?
Për qytetarët ka pranga, për protestuesit qeli, për uniformën e akuzuar për dhunë, heshtje. Kjo nuk është barazi para ligjit.
Prandaj, kërkesa jonë është e prerë, jepni kamerat, ruani provat dhe mbani përgjegjësi për arrestimet e paligjshme, sepse ligji nuk mund të përdoret kundër qytetarëve dhe si mburojë për pushtetin.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.