
I nderuar Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava,
I nderuar Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, z. Dod Gjergji,
Ne, të poshtëshënuarit, ju drejtohemi me respekt, por edhe me shqetësim të thellë qytetar e kombëtar.
Prej vitesh po bëhemi dëshmitarë të një gjuhe gjithnjë e më fyese dhe përçarëse mbi baza fetare, veçanërisht në portale dhe rrjete sociale. Individë të besimit mysliman fyejnë besimin e krishterë dhe bashkëkombësit katolikë; në anën tjetër, individë të besimit katolik fyejnë fenë islame dhe bashkëkombësit myslimanë.
Kjo gjuhë duhet të ndalet.
Ajo nuk i shërben Zotit, nuk i shërben besimit dhe, mbi të gjitha, nuk i shërben kombit shqiptar.
Ju, si drejtues të dy institucioneve më të rëndësishme fetare në Kosovë, mbani një përgjegjësi të veçantë morale dhe shpirtërore. Fjala juaj dëgjohet. Qëndrimi juaj ka peshë. Prandaj sot nevojitet një zë i qartë, i fuqishëm dhe i përbashkët kundër çdo përpjekjeje për t’i ndarë shqiptarët sipas fesë.
Feja nuk duhet të bëhet ndarje mes shqiptarëve.
Historia jonë është dëshmia më e fuqishme për këtë.
Në momentet më të vështira të ekzistencës sonë kombëtare, shqiptarët nuk pyetën njëri-tjetrin se në cilën mënyrë i luten Zotit. Myslimanë e të krishterë qëndruan përkrah njëri-tjetrit në përpjekjet për liri, çlirim, pavarësi dhe shtetndërtim.
Sakrificat e brezave na sollën deri këtu. Sot shqiptarët kanë Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë. Këto arritje duhet t’i ruajmë si sytë e ballit.
Nuk duhet të lejojmë që atë që e bashkoi gjaku, sakrifica dhe historia, ta ndajë sot fanatizmi fetar apo gjuha e urrejtjes.
Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje që autoriteti juaj të shndërrohet në një mesazh të qartë dhe të vazhdueshëm për besimtarët.
Le të dëgjohet në xhamitë e Kosovës thirrja që besimtari mysliman ta respektojë bashkëkombësin e tij katolik.
Le të dëgjohet në kishat katolike thirrja që besimtari katolik ta respektojë bashkëkombësin e tij mysliman.
Askush nuk e lartëson besimin e vet duke e fyer besimin e tjetrit.
Besimi i vërtetë nuk ka nevojë për urrejtjen e tjetrit për të dëshmuar forcën e vet. Respekti ndaj besimit të bashkëkombësit nuk është dobësi. Është dinjitet, qytetari dhe përgjegjësi kombëtare.
Kosova nuk duhet të harrojë as miqtë që i qëndruan pranë në ditët e saj më të rënda. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte vendimtare për ndalimin e dhunës dhe dëbimeve masive të shqiptarëve, ndërsa prania e KFOR-it vazhdon të kontribuojë në sigurinë e vendit.
Prandaj, gjuha e urrejtjes ndaj feve, kulturave dhe popujve me të cilët shqiptarët kanë ndërtuar miqësi dhe aleanca historike nuk është vetëm e gabuar moralisht; ajo është edhe në kundërshtim me interesin afatgjatë të Kosovës.
Shqiptarët kanë nevojë për më shumë bashkim.
Ne nuk po ju kërkojmë të heshtni për dallimet tona. Po ju kërkojmë që këto dallime të mos lejohen të shndërrohen në urrejtje.
Nuk po ju kërkojmë që njëri besim t’i afrohet tjetrit duke humbur identitetin e vet. Përkundrazi: secili le ta ruajë besimin e tij me dinjitet, duke respektuar njëkohësisht të drejtën dhe dinjitetin e tjetrit.
Ne dhe shumë shqiptarë të tjerë, myslimanë e të krishterë, do të qëndrojmë përkrah çdo përpjekjeje që mbron harmoninë ndërfetare dhe unitetin tonë kombëtar.
Sepse kjo çështje nuk u përket vetëm imamëve dhe priftërinjve. Ajo na përket të gjithëve.
Na përket të gjithë atyre që e duan Kosovën.
Na përket të gjithë atyre që e duan Shqipërinë.
Na përket të gjithë atyre që duan që brezat e ardhshëm të shqiptarëve të jetojnë së bashku, me respekt dhe pa urrejtje fetare.
Besimi duhet ta afrojë njeriun me njeriun, jo ta ndajë atë.
Marrëdhënia me Zotin nuk mund të ndërtohet mbi urrejtjen ndaj bashkëkombësit. Dhe dashuria për kombin nuk mund të kërkojë mohimin e besimit të askujt.
Historia na ka mësuar se kur shqiptarët kanë qenë të bashkuar, kanë mundur t’u bëjnë ballë edhe sfidave më të mëdha.
Prandaj, sot mesazhi duhet të jetë i thjeshtë dhe i fuqishëm:
Një komb, Besime të ndryshme. Respekt i ndërsjellë. Një e ardhme e përbashkët.
Me këtë bindje dhe me shpresën se zëri juaj do të dëgjohet fuqishëm në mbrojtje të harmonisë ndërfetare dhe bashkimit ndërmjet shqiptarëve, ju përshëndesim me respekt vëllazëror.
Të poshtëshënuarit – Nënshkrues nga brenda e jashtë Kosovës
Xhevat Hasani – Doktor i shkencave të mjekësisë, publicist, autor i disa librave, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.
Bedri Halimi – Agronom, ish i burgosur politik, publicist, gazetar dhe autor i shumë librave.
Prof. Dr. Shyqri Galica – Kryetar i LSHK-së.
Agush Buja – Veprimtar i LPK-së, veprimtar i Fondit “Vendlindja Thërret”, i autorizuar për sigurimin e logjistikës së UÇK-së, veprimtar i çështjes kombëtare.
Mehmet Bislimi – Kimist dhe ekonomist, ka dhënë kontribute për UÇK-në.
Nasim Haradinaj – Veprimtar i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik, njëri nga nismëtarët e pajtimit të gjaqeve në vitin 1990, ish-ushtar i UÇK-së, përfaqësues i Shtabit të UÇK-së për Betejën e Koshares, nënkryetar i OVL/UÇK-së në nivel të Kosovës, ish i burgosur i Dhomave Speciale të Kosovës në Hagë.
Prof. Dr. Begzad Baliu – Albanolog.
Fatmir Salihu – Gjuhëtar, ish i burgosur politik, propagandues i çështjes së Kosovës në Zvicër, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.
Xhemail Selimi – Ushtar i UÇK-së në Kosovë dhe i UÇK-së në Maqedoni, veteran dhe invalid lufte.
Xhevat Gjini – Kryetar i Shoqërisë Lëvizja – Dega në Kosovë, veprimtar i çështjes kombëtare.
Salih Sefa – Mjek, ish i burgosur politik, ish-konsull i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, veprimtar i çështjes kombëtare.
Sejdi Gega – Inxhinier i teknologjisë, ish i burgosur politik, kryetar i Shoqërisë “Lëvizja”, dega jashtë vendit, autor i dy librave për LPK/UÇK.
Murat Bytyqi – Historian, veprimtar i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik, veprimtar i UÇK-së në prapavijë.
Nadire Bytyqi – Pedagoge, pjesëmarrëse e demonstratave të viteve ’80 për bërjen e Kosovës Republikë.
Petrit Bytyqi – Veprimtar i çështjes kombëtare, veprimtar i Fondit “Vendlindja Thërret”, prapavijë e Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Isuf Sherifi – Gjuhëtar, veprimtar i çështjes kombëtare, poet, autor i disa librave me poezi.
Hajdar Paçarada – Arkitekt, publicist, eseist, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.
Skënder Hajdari – Ish i burgosur politik, veprimtar i çështjes kombëtare, teknopoligraf, faqosës i shumë librave me karakter kombëtar.
Nysret Hajdari – Ish i burgosur politik, veprimtar i çështjes kombëtare, autor i dy vëllimeve me kujtime.
Jeta Hajra – Gjuhëtare, aktiviste e çështjes kombëtare në SHBA.
Jashar Balaj – Historian, i përndjekur politik, pjesëmarrës në demonstratat e viteve ’80, veprimtar i çështjes kombëtare.
Agim Sylejmani – Ish i burgosur politik, publicist dhe autor i disa librave, veprimtar i çështjes kombëtare.
Tone Berisha – Veprimtare, shpërndarëse e ideve përparimtare, përkrahëse e UÇK-së.
Afrim Emini – Psikiatër, veprimtar i çështjes kombëtare.
Kadri Rexha – Ish i burgosur politik, publicist, autor i disa librave, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.
Esat Halili – Ish i përndjekur politik, veprimtar i Fondit “Vendlindja Thërret”, i angazhuar për logjistikën e UÇK-së në të tri luftërat e bëra gjatë viteve 1998–2001.
Zeqrija Jakupi – Ish-luftëtar i UÇK-së në Maqedoni dhe invalid i luftës.
Gëzim Osmani – Veprimtar i çështjes kombëtare, kontribues në luftën e UÇK-së.
Vaxhid Sejdiu – Doktor i shkencave filologjike, veprimtar i çështjes kombëtare, ka dhënë kontribute për arsimin shqip në Zvicër.
Nuri Behxheti – Historian, veteran i Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Jashar Balaj – Historian, i përndjekur politik, pjesëmarrës në demonstratat e viteve ’80, veprimtar i çështjes kombëtare.
Osman Osmani – Ish i përndjekur politik i viteve ’80, veprimtar i çështjes kombëtare jashtë vendit.
Faik Latifi – Ekonomist, ish i burgosur politik, veprimtar i çështjes kombëtare.
Karanfil Ahmeti – Përkrahës i UÇK-së dhe kontribues në Fondin “Vendlindja Thërret”.
Hysni Hoxha – Jurist, veprimtar i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik.
Feti Hasani – Historian, ish i burgosur politik, ish-ushtar i UÇK-së, veprimtar i çështjes kombëtare.
Ylber Hasani – Ing. i Elektroteknikës, hulumtues në një institucion ndërkombëtar të Vjenës, veprimtar i çështjes kombëtare.
Nënshkrues nga Shqipëria
Ornela Radovicka – Publiciste, studiuese e gjuhësisë, historisë dhe traditave të arbëreshëve të Italisë.
Sylejman Kovaçi – Udhëheqës i bazës së UÇK-së së Kosovës në Kukës gjatë viteve 1998–1999, udhëheqës i bazës së UÇK-së së Maqedonisë në Kukës gjatë vitit 2001.
Gëzim Goçi – Ushtarak i lartë, kolonel nga Shqipëria, kontribues i luftës së UÇK-së, drejtor i Kufijve të Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë, pedagog në Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë.
Nënshkrues nga Maqedonia
Xhevat Ademi – Ish i burgosur politik, drejtues në radhët e UÇK-së në Maqedoni, ish-kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Maqedoni, gazetar, deputet në shumë mandate në Parlamentin e Maqedonisë.
Trëndelina Jaha – Pjesëmarrëse në demonstratat e vitit 1981 për bërjen e Kosovës Republikë, ish e burgosur politike, veprimtare e çështjes kombëtare.
Fadil Bajrami – Ish i burgosur politik, ish-deputet i Parlamentit të Maqedonisë, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare.
Kastriot Rexha – Mjek, profesor në Universitetin e Tetovës, ish i burgosur politik, ish-deputet në Parlamentin e Maqedonisë.
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.