
Egla Ceno
Babi,
Dje fola para kinemasë “tënde” në Poliçan.
Po, bërtita pak. Bërtita edhe me një shpresë fëmijërore. Me shpresën se zëri im do të ngjitej deri atje ku prehen kockat e tua që ta dëgjoje edhe ti. Që ta dije se vajza jote nuk ka harruar as nga vjen, as çfarë i ke mësuar.
E di çfarë doja të mbroja? Jo thjesht një bashki. Doja të mbroja kujtesën e një qyteti. Historinë e njerëzve të tij. Djersën tuaj që e ngritët me mund. Dinjitetin e atyre që sot ndoshta nuk kanë më forcë të dalin në shesh por e duan po aq sa e deshe ti.
Një qytet është vendi ku dikush ka lindur, ka qarë për herë të parë, ka rritur fëmijët, ka varrosur prindërit dhe mban kujtimet që nuk do të na i shkrijnë dot kaq lehtë. Kohë maskarenjsh babi, maskarenj pa fantazi.
Ti më mësove se njeriu nuk matet me pushtetin që ka por me mënyrën si qëndron mes njerëzve. Prandaj nuk mund të rrija në heshtje.
Nuk e di nëse do ndryshojmë gjë. Nuk e di nëse zëri ynë do të dëgjohet. Por di një gjë me siguri: nuk do të mund t’i shikoja kurrë njerëzit në sy nëse nuk do të provoja.
Kam mësuar nga ti se ka beteja që nuk i zgjedh sepse je i sigurt se do t’i fitosh. I zgjedh sepse nuk mund të jetosh në paqe me veten nëse nuk i lufton.
Dje nuk fola si politikane. Nuk fola si personazh publik. Fola si vajza jote. Si një vajzë e Poliçanit që refuzon të besojë se e ardhmja e një qyteti mund të vendoset pa e pyetur qytetin.
Shpresoj të jesh krenar për mua. Jo sepse fola, po sepse u përpoqa të mos tradhëtoj vlerat me të cilat më rrite.
Në fund të fundit mbiemri Ceno nuk ka qenë kurrë privilegj. Ka qenë përgjegjësi. Dhe unë do të përpiqem ta mbaj me dinjitet.
Ciao Gimçe, shihemi kur të jetë koha![]()
Me mall,
Vajza jote, Egla Ceno
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.