
Për ata që po kanë dilema nëse Lumir Abdigjiku ka të drejtë apo ata gjashtë deputetët kundërshtues.
Shkruan: Ma.sc.Idriz Morina
E para gjë që duhet ta mësojnë dhe t’i binden të gjithë, udhëheqës të institucioneve, të partive politike, të jetës publike deri tek votuesit, është që mbi të gjitha është dhe duhet të jetë respektimi i Kushtetutës, veçanërisht në procese të konstituimit të institucioneve.
Bisedimet jashtë afati kushtetues
Tashmë është fakt notor, i pranuar edhe nga jurist mbështetës të Kurtit, se vendi, përkatësisht Kuvendi ishte dhe është në shkelje të Kushtetutës, për shkak të tjekalimit të çdo afati për konstituimin e Kuvendit.
Kur themi çdo afati, e ka kuptimin kushtetues, por edhe interpretimin jo kushtetues të vendosur nga Vetëvendosje, sipas së cilës nuk janë 30 ditë afat nga dita e certifikimit të rezultatit zgjedhor, siç e ka përcaktuar Kushtetuta dhe siç e ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese, por se afati rrjedh nga dita kur ka nisur seanca konstituive, me 6 gusht, (deri në këtë datë thirrja e seancës është zvarritur qëllimisht nga VV-ja), dhe jo me 7 gusht, por se përfundon me 6 shtator. Edhe në këtë pikë deklaruesja e afatit zonja Gërvalla, ka bërë një tjetër gabim material, e ngatërruar me gjatësinë e muajit – gushti 31 ditë, ka menduar se edhe afati nuk është 30 ditë, por 31 ditësh, ose ka harruar se nuk janë të gjithë muajt nga 30 ditë. Pra, edhe në këtë rast nuk duhej ta deklaronte si ditë të fundit 6 shtatorin, por 5 shtatorin, ditën e djeshme.
Rezultati i zgjedhjeve të qershorit u certifikua me 8 korrik nga KQZ-ja, kështu që afati kushtetues 30 ditor për konstituimin përfundoi me 7 gusht.
Ndërkohë, uzurpatori i kompetencës së thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive Avni Dehari, e ka thirrur për 9 shtator, pra 33 ditë pas afatit kushtetues, dhe 4 ditë pas afatiti 30 ditor shtesë që ia ka dhënë vetvetes VV-ja, sjellje kjo e saj, si gjithëherë në dy vitet e fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit. Pra, minimalisht, sikur të kishte të drejtë në hamendësimet e saj VV-ja për afatin kushtetues të konstituimit të Kuvendit, duhej që ta kishte thirrur seancën jo më vonë se më 5 shtator, për ditën e djeshme.
Por, kjo sjellje vetëm e rikonfirmon argumentimin tim, se është Albin Kurti ai që vendos në mënyrë arbitrare, pra në shkelje të Kushtetutës, edhe në rastet krejtësisht të qarta, ndërsa e gjithë retorika e tij është një mal gjepurash, për të gjetur fajin tek të tjerët, dhe duke injoruar përgjegjësitë veta dhe zotimet, sikurse ka bërë edhe me Marrëveshjen e Ohrit, me delegimin e hartimit të projektstatutit për vetmenaxhimin serb në Kosovë, nga qeveria tek BE-ja etj.
Pra, të shohim se çfarë bëri vet Lumiri dhe grupi negociator i LDK-së.
Lumir Abdigjiku i kishte filluar negociatat me Albin Kurtin, menjëhërë pas zgjedhjeve, por që procesi u ndërpre, për shkak të pakënaqësive në parti, me humbjen e rëndë zgjedhore, duke çuar sërish në votbesimimin e dytë ndaj tij. Ai i mbijetoi, por që sipas Berat Buzhalës, ish-mikut të Lumirit, mbijetësn e siguroi pasi e përmbysi situatën ku ishte me 20 vota më pak, në saje të ndihmës së disa bizneseve. Nga sulmi publik i Lumirit u kthye në bumeranag kundërgoditja që i dha Buzhala, duke e komprometuar me informacionet e brendshme, ku mbase edhe mund të ketë qenë vetë ai i përfshirë ose të ketë qenë i informuar në vazhdimësi, sipas një interviste të tij në T7, ku ai e paraqet veten si tutor të karrierës së Abdigjikut.
Lumir Abdigjiku dhe mbase edhe vetë kryesia e partisë duhej të vendoste parim për negociim, moshkeljen e Kushtetutës dhe afateve kushtetuese si parakusht për arritjen e marrëveshjeve, pra për fillimin e bisedimeve, duke u bazuar nga sjellja recidiviste e VV-së, sidomos në dy vitet e fundit.
Duke e parë që VV-ja po e zvarriste konstituimin e Kuvendit, duhej t’i bëhej e qartë se LDK-ja do t’i braktiste bisedimet dhe nuk do të pranonte marrëveshje antikushtetuese, pra një marrëveshje që do të synohej, dhe mbase ende synohet, si zgjedhja e presidentit të bëhet pas tejkalimit të afatit kushtetues për konstituim të Kuvendit.
Kjo do ta detyronte Vetëvendosjen ta thirrte seancën më në kohë, dhe që deri më 7 gusht të përfundonte konstituimi.
Pse?
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk do ta pengonte një marrëveshje koalicioni që LDK-ja ta pranonte me VV-në në qeverisje, aq më pak për presidentin, edhe pse një marrëveshje të tillë me VV-në nuk ka pasur as grupi negociator, Lumir Abdigjiku, Vjosa Osmani e Lutfi Haziri, pavarësisht refuzimit të ujdisë për një kandidat presidencial nga grupi prej gjashtë deputetësh.
Pra, edhe nëse hipotetikisht do të kishim pasur marrëveshje për bashkëqeverisje, situata do të zgjidhej me dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, e cila nuk shkakton efekt zinxhiror apo shpërbërje të Kuvendit, publikut duhet t’i kujtohet rasti Basha etj.
Meqenëse është kështu, atëherë çfarë motivi kishte Lumir Abdigjiku, t’i nënshtrohej bisedimeve me Albin Kurtin, kur bisedimet i vazhdoi pa kushtet elementare, të mbrotjes së Kushtetutës?!
Ky është njëri parim i rëndë i shkelur, veçmas edhe në aspketin politik, duke qenë se është një parti opozitare!
Shkelja e dytë skandaloze tashmë në vitin e dytë – pozitat e dyfishta të papajtueshme në ndarjen e pushteteve
Por, Albin Kurti dhe thuaja e gjithë qeveria e tij dhe strukturat udhëheqëse të partisë janë edhe në një shkelje tjetër të Kushtetutës, që është edhe me pasoja penale – mbajtja e mandatit të dyfishtë, përkatësisht të pozitave të papajtueshme kushtetutshmërisht dhe sipas Ligjit për Qeverinë, i përcaktuar me ndarjen e pushteteve, Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqësori. Pra, mbajtja e pozitave të deputetit pas dhënies së betimit, dhe mbajtja e posteve në qeveri është e papajtueshme ligjërisht dhe mbi të gjitha sipas Kushtetutës.
Për më tepër ka edhe një vendim të vitit të shkuar të Gjykatës Supreme në rastin e ministrit të Financave Hekuran Murati, për shkak të ushtrimit të pozitës së ministrit në detyrë dhe të deputetit, i nxjerrë edhe sipas kundërshtimit të bërë nga LDK-ja. Vetë Lumiri dhe LDK-ja, edhe në fushatën e fundit e ka afirmuar këtë vendim duke e përdorur në fushatë për të argumentuar shkeljet e Kurtit dhe të VV-së, dhe po ashtu ka deklaruar, se Kurti dhe të tjerë ishin për disa muaj në shkelje të Kushtetutës në vitin 2025. Po ashtu Kurti dhe shumica e kabinetit të tij qeveritar janë edhe aktualisht tashmë më se një muaj, nga 6 gushti në shkelje të Kushtetutës.
Pra, për të mos ndodhur edhe kjo shkelje kushtetuese, Lumiri, grupi negociator i LDK-së dhe vetë kryesia e kësaj partie nuk duhej as të bisedonin, as me Albinin dhe me askë, që kërkon legjitimimin e dy gjendjeve kaq të rënda antikushtetuese. Pra, duhej qartazi ta kushtëzonte me zgjedhjen e njërës pozitë, të kryeministrit në detyrë ose të deputetit.
Pra, Lumiri jo vetëm që nuk i tregoi Kurtit dhe VV-së, se nuk është Lubomiri, siç e quanin tashmë disa vite strukturat dhe zyra e propagandës së saj, por u bë një figurë e dështuar, që jo vetëm nuk tregoi lidership, por, tashmë është bërë një dështak qesharak!
Ti Lumir i albanizum nuk mund t’i fajësosh të tjerët për refuzim të marrëveshjes për president me Kurtin, në bisedimet e bëra jashtë afatit kushtetues dhe për marrëveshje antikushtetuese, pra në shkelje të Kushtetutës dhe me shkelës të Kushtetutës.
Edhe grupi prej 6 deputetësh duhej ta kthente këtë në kryeargument të mospajtimit për ujdin Kurti-Abdigjiku, dhe aspak në mënyrën si bëri Avdullah Hoti, duke e kthyer refuzimin e saj në konflikt personal për emrin e kandidatit Bekim Sejdiu.
Edhe vetë kandidati Sejdiu, sado emër i respektuar edhe nga unë e nga publiku, si ish anëtar i Gjykatës Kushtetetuese nuk duhej të kthehej në një marionetë të shkelësve flagrant të Kushtetutës, pra duhej ta shmangte një marrëveshje të bërë në shkelje të Kushtetutës!
Lumir, ti po bën thirrje për cenim sistematik të demokracisë dhe integritetit kushtetues!
Pra, këtë normë të shkeljes të Kushtetutës me mllefin dhe akuzat ndaj grupit refuzues të deputetëve të LDK-së për marrëveshjen e tij, don ta bartësh edhe tek LDK-ja, ashtu siç e ka kthyer në normë në parti dhë në shtet Albin Kurti, ashtu siç ka bërë në mënyrë sistematike duke refuzuar t’i përgjigjet prokurorisë dhe gjykatës në një proces hetimor për korrupsion në qeverisjen e tij!
Është e papranueshme, që t’i thërrasësh të tjerët, e veçmas deputetët ta shkelin Kushtetutën, e aq më pak është e pranueshme t’i fajësosh të tjerët pse nuk po të binden që ta shkelësh Kushtetutën. Pra, ti po përpiqesh që ta kthesh në bindje shkeljen e Kushtetutës, ashtu siç ka bërë edhe po bën Albini me gjithë partinë e tij dhe me institucione fatkeqësisht!
Pra, ti po bën thirrje për cenim sistematik të demokracisë dhe integritetit kushtetues!
Po, ku e gjete o LUMIR veç tjerash të arrish marrëveshje me Kurtin, në kulmin e diskreditimit të tij, me ekspozimin e dosjes “Sheholli”, jo pse ai aty përmendet si homoseksual, por për shkak të një indicie të saktë, se ai mund të jetë angazhuar nga shërbimi sekret serb, dhe Kurti deri më sot nuk e ka kundërshtuar as demantuar asnjë gërmë të sajë!
Pra, ti në vend që edhe në këtë pikë, t’ia dëshmoje VV-së se nuk ishe Lubomiri, duhej t’i kërkoje të reagonte publikisht dhe të garantonte se ai nuk ka të bëjë asgjë me ato që përmenden në atë dosje! Pra, në vend që ta shpëtoje vetën nga nxirosja e emrit që ta ka dhënë VV-ja, t’i shkove ta shpëtoje Kurtin nga nxirosja! Derisa emrin tënd nuk e ka parë publiku askund të nxirosur si të Albinit, ti vazhdon ta ushqesh atë që të bën VV-ja, me “kaq munda, kaq bëra”!
Natyrisht këto gabime të rënda të Lumirit, nuk duhet të çojnë dhe unë i kundërshtoj, që boshti i të pakënaqurve të LDK-së, të lëvizë apo të bashkohet me atë që unë e quaj aktualisht, boshtin “Hija e Thaçit”!
Një lëvizje e atillë do të ishte legjitimim i akuzave të Lumirit, dhe një vetëvrasje tjetër e LDK-së!
Dua të besoj nga aq sa i njoh, se brenda 6 deputetëve, një grup i tyre, bashkë me figura të tjera në Kryesi të LDK-së dhe përtej, janë fryma rugoviane, dhe janë shenja e revoltës dhe e reagimit tradicional të LDK-së ndaj shkeljes së vlerave dhe interesave kombëtare e shtetërore!
Nuk po mundeni me fitu, por nuk keni nevojë me u poshtëru, as nga Kurti as nga “Hija e Thaçit”!
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.