
Ministri ‘monstër’ i korrupsionit i quan protestuesit ‘turmë budallenjsh’ dhe i kërcënon me kapje për veshësh, heqje zvarrë dhe rrahje nga policia. SPAK nuk vepron, megjithëse më 22 korrik 2022 u thirr në pyetje, i janë skeduar 43 milionë euro tenderë abuzivë dhe kompania e tij ‘Albarent’ iu fshinë 1.2 milionë euro detyrime tatimore…
Është çudi se ku e gjejnë garancinë e paprekshmërisë penale ministrat “monstra” të korrupsionit e vjedhjeve si Blendi Gonxhe, aq sa guxojnë të denigrojnë dhe kërcënojnë publikisht qytetarët që denoncojnë e protestojnë kundër aferave të tij dhe të Edi Ramës.
Në Komisionin Parlamentar të Kulturës e Turizmit, ministri Blendi Gonxhe i quajti protestuesit “turmë budallenjsh”, ngaqë ata i përmendin aferat korruptive, vjedhjet e fondeve dhe pasurive publike në çdo detyrë drejtuese në Bashkinë e Tiranës e prej 13 vitesh në qeveri.
Ndërsa gjatë një interviste televizive këtë javë, ministri Blendi Gonxhe, pasi denigroi përsëri protestuesit, ngaqë e qëllojnë me vezë, i kërcënoi me kapje për veshësh, heqje zvarrë dhe rrahje nga policia e mbyllje në biruca.
Dihet që policia i ka bërë këto veprime, sa herë që protestuesit kanë shkuar para parlamentit, ku kanë gjuajtur me vezë ministrin hajdut Blendi Gonxhe, ministrat e tjerë si ai dhe deputetët e zhytur në afera e lidhje me krimin, por Gonxhe i bën thirrje policisë për dhunë barbare.
Ajo çfarë nuk kuptohet është çudia përse SPAK nuk po kap për veshi dhe nuk e çon në burg Blendi Gonxhen, ish-drejtorin dhe ministrin aktual “ikonë” të korrupsionit e vjedhjeve dhe krimeve zgjedhore në bashkëpunim me bandat.
Më 22 korrik 2022, ministri Blendi Gonxhe u thirr në SPAK për marrjen e 150 milionë lekëve nga Landfilli i Tiranës me kontrata false, si dhe miliona lekë nga qeveria nëpërmjet dhënies me qira të makinave nga kompania e tij “Albarent”, në konflikt interesi gjatë ushtrimit të detyrës.
Katër vite nga marrja në pyetje, SPAK nuk sqaron nëse ka kryer veprime hetimore për Blendi Gonxhen, duke krijuar dyshime se nuk ka filluar çështje penale, ose e ka pushuar fshehurazi.
Fakti tjetër për SPAK-un: Më 15 tetor 2021, me Urdhër Nr. 13277, Drejtoria e Detyrimeve Tatimore të Papaguara bllokoi pasuritë e kompanisë “Albarent” të Blendi Gonxhes, ngaqë nuk kishte paguar 1.2 milionë euro detyrime tatimore për 7 vjet.
Por më 8 nëntor 2023, me Urdhër Nr. 76822 të firmosur nga Drejtoresha e Detyrimeve Tatimore të Papaguara, Estela Dura, kompanisë së Blendi Gonxhes iu hoq masa e bllokimit të pasurive, me mashtrimin se kishte shlyer detyrimet.
Sipas informacionit nga Ministria e Financave, kompania “Albarent” e Gonxhes nuk ka paguar asnjë qindarkë detyrim tatimor, por ato i janë fshirë dhe figuron pa detyrime e vazhdon aktivitetin.
Ky fshirje detyrimesh përbën një skandal të hapur e vepër penale në bashkëpunim, që duhet të hetohet nga SPAK, madje kompania e Gonxhes nuk ka paguar detyrime tatimore e taksa as gjatë periudhës 2023-2025, por aktiviteti i saj vazhdon.
Nëpërmjet Task-Forcës Zgjedhore, SPAK-u skedoi faktin që në zgjedhjet e 11 majit 2025, kandidati Blendi Gonxhe, në atë kohë ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, siguroi rreth 22 mijë vota nëpërmjet çeqeve të oligarkëve, presionit të bandave kriminale dhe “të fortëve” në zonat “Komuna e Parisit”, “Kodra e Diellit”, Kombinat, Vaqarr, Ndroq e Vorë.
Për Blendi Gonxhen janë skeduar 43 milionë euro tenderë abuzivë dhe 185 milionë euro për pistën e garave në Elbasan, të firmosura kur ishte Drejtor i Parqeve dhe Drejtor i Transportit Rrugor.
Ndërsa gjatë periudhës janar 2024 – shtator 2025, kur ishte ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, krijoi “gropën e zezë” 450 milionë euro me tenderët që bënte nëpërmjet Operatorit Qendror të Tenderëve që kishte në vartësi.
Batërdi me tenderët, fondet e projekteve të turizmit, kulturës, sporteve dhe monumenteve të kulturës, Blendi Gonxhe ka bërë gjatë 10 muajve ministër i Turizmit, Kulturës e Sporteve.
Gjersa SPAK nuk po e kap për veshi dhe nuk e çon në burg, ministri hajdut Blendi Gonxhe krekoset si “cub” dhe kërcënon qytetarët me kapje për veshësh, heqje zvarrë e mbyllje në burg./Pamfleti
DardaniaPost është një media online e pavarur, e përkushtuar ndaj së vërtetës, profesionalizmit dhe interesit publik. Misioni ynë është të informojmë me saktësi, shpejtësi dhe paanshmëri, duke respektuar standardet më të larta të gazetarisë. Besojmë se fjala e lirë dhe informacioni i besueshëm janë themeli i një shoqërie demokratike. DardaniaPost u jep hapësirë të gjitha mendimeve, promovon dialogun, transparencën dhe llogaridhënien, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe vlerat kombëtare e universale. Me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi editoriale, synojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe një burim i besueshëm informacioni për shqiptarët kudo që jetojnë.
2026 DardaniaPost.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Zhvilluar me ❤️ nga dsolution.